Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në fshatin Përlepnicë të Gjilanit.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur në shtëpinë e tyre pas një mosmarrëveshjeje, pasi bashkëshorti e kishte akuzuar se nuk po pastron dhe nuk po kujdeset për fëmijët.
Krejt fjalosja kishte eskaluar në dhunë fizike, me ç’rast i dyshuari kishte goditur me bishtin e metaltë të fshesës e më pas e kishte kapur për fyti.
Si pasojë e dhunës, 38-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar dhe e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.