Një gjigant ushqimor indonezian ka mbrojtur produktet e tij pas tërheqjeve në Malajzi dhe Tajvan, ku zyrtarët shëndetësorë thonë se kanë zbuluar një substancë që mund të shkaktojë kancer në markën popullore “Indomie” të atyre që njihen si “noodles”.
“Ne dëshirojmë të theksojmë se… produktet tona Indomie janë të sigurta për konsum”, tha Taufik Wiraatmadja, një anëtar i bordit të drejtorëve në Indofoods.
“Të gjitha ‘noodles’ të prodhuara nga (Indofood) në Indonezi përpunohen në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore nga Standardi Codex për ‘noodels’ dhe standardet e vendosura nga Agjencia Kombëtare e Indonezisë për Kontrollin e Barnave dhe Ushqimit (BPOM)”.
Indofoods është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të “noodles”-ave dhe eksporton produktet e saj në më shumë se 90 vende, përfshirë Arabinë Saudite dhe Nigerinë, ku ato janë veçanërisht të njohura, e të njohura janë edhe në Kosovë.
Zyrtarët shëndetësorë në Malajzi dhe Tajvan thanë këtë javë se kishin zbuluar një përbërës të quajtur oksid etilen në “noodles” me shije të “pulës speciale” (special chicken) të Indomie, raportoi CNN.
Oksidi i etilenit është një gaz pa ngjyrë, pa erë që përdoret për sterilizimin e pajisjeve mjekësore. Sipas Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit, gazi mund të kontribuojë në rritjen e rrezikut të kancerit.
Ministria e Shëndetësisë në Malajzi tha se kishte ekzaminuar 36 mostra të “noodles” nga marka të ndryshme që nga viti 2022 dhe zbuloi se 11 mostra përmbanin oksid etilen.