Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Gjakovë, ku mbesa dyshohet se ka sulmuar fizikisht gjyshin e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ka qenë i moshuari ai i cili e ka denoncuar mbesën e tij për dhunë në familje.
Sipas dëshmisë së 82-vjeçarit, mbesa e tij e ka ofenduar me fjalë banale, duke i thënë mos më trullo e mos ha m*t dhe më pas e njëjta e ka sulmuar edhe fizikisht duke e goditur me shqelma. Sipas tij gjithçka ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje rreth pronësisë së shtëpisë.
Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarën, e cila është intervistuar nga hetuesit. Ajo ka mohuar të ketë sulmuar fizikisht gjyshin e saj.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 22-vjeçares kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.