Ecja nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës është shndërruar në sport ekstrem për vajzat dhe gratë. Kjo për shkak të mungesës së sigurisë pasi që ato gjatë kohës që lëvizin vetëm nëpër qytete, vazhdimisht hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë ato, raporton Gazeta Sinjali.
Me një ngjarje të frikshme është përballur dje një vajzë në rrugën ‘Wesley Clark’ në Gjakovë, ku një person tentoi ta marrë me dhunë në veturën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në pikë te ditës para shtëpisë së 19-vjeçares, ku i dyshuari është ndalur dhe i ka bërë thirrje që të hyjë në veturë për të shkuar për kafe bashkë e më pas të kryejnë edhe punë tjera.
E tmerruar nga situata, viktima ka nisur të bërtas me zë të lartë dhe i dyshuari më pas është larguar që aty.
Sinjali mëson se vajza ka pësuar lëndime trupore, për shkak se duke ikur, është përplasur në veturën e të dyshuarit dhe si pasojë ka marrë ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë arritur që ta identifikojnë dhe ta arrestojnë të dyshuarin.
Me urdhër të prokurorit, 35-vjeçari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.