Gjermania merr deri në 60 mijë profesionistë nga Ballkani, përshirë edhe Kosovën

Gjermania ka publikuar të mërkurën draft-reformat për imigracionin, trajnimin e aftësive dhe promovimin e imigracionit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, një përpjekje e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për të mbushur mungesën e fuqisë punëtore në ekonominë më të madhe të Evropës. 

Një nga vendimet është edhe zgjatja e rregullores për punëkërkuesit nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Sebia dhe Mali i Zi, shkruan Reuters.

“Me këtë, ne po hedhim themelet për një fillim të ri në politikën e migracionit,” shkroi në Twitter ministri i Financave Christian Lindner pasi kabineti miratoi reformat. “Kushdo që mund të kontribuojë në suksesin ekonomik të vendit si punëtor i kualifikuar është i mirëpritur.”

Një nga reformat është ligj i ri i imigracionit që synon të adresojë pengesat kryesore për migrantët në Gjermani, në veçanti për ata që vijnë nga jashtë BE-së.

Draftligji, i parë nga Reuters, thotë se reforma mund ta rrisë numrin e punëtorëve nga shtetet që nuk janë pjesë e BE-së për 60 mijë në vit.

Ajo i ofron punëtorëve të huaj tri rrugë për të hyrë në vend. E para kërkon diplomë profesionale ose universitare të njohur në Gjermani dhe kontratë punë. E dyta kërkon së paku 2 vjet përvojë pune në sektorin përkatës ose diplomim ose formim profesional. E treta është një “kartë mundësie” për individë që nuk kanë oferta punë por kanë potencial të gjejnë punë. Kjo kartë e mundësisë e ndjek një sistem të bazuar në pikë që merr parasysh aftësitë gjuhësore, përvojën profesionale, lidhjen me Gjermanin dhe moshën.

Kabineti miratoi edhe një ligj të arsimit që u jep të drejta të rinjve për trajnime pa pagesë. Agjencia Federale e Punës në Gjermani do të paguajë deri në 67% të pagës neto për kohëzgjatjen e trajnimit.

Gjithashtu, kabineti ka vendosur që t’i zgjasë rregulloret për punëkërkuesit nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat më parë pritej të përfundonin në fund të vitit. Gjermania do të jetë në gjendje të rekrutojë deri në 50 mijë punëtorë në vit nga këto shtete. /Insajderi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *