Të gjitha rrugët e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit drejtojnë tek një person që është prokurori i rastit. Kështu ka deklaruar avokati i rastit “Dehari”, Tomë Gashi.
Gashi tha se pavarësisht që ka shkruar me dhjetëra kërkesa prokurori i rastit, Afrim Shefkiu fare nuk është përgjigjur.
“Të gjitha rrugët e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit drejtojnë tek një person, që është prokurori i rastit. Ne kemi shkruar me dhjetëra kërkesa dhe prokurori e ka gjetë.. prokurori fare nuk përgjigjet. Komunikimi i fundit ka qenë të premten kur ka qenë edhe një protestë e organizuar nga rinia e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kemi qenë unë, familja dhe gjithë ata që kanë mund të vinë në këtë protestë. I kam dërgu në ditën e njëjtë para protestës që prokurori të na dërgojë një raport përmbledhës me pa se çka ka ndodhë në këto shtatë vjet. Unë e kam ditë që prokurori nuk do të përgigjet, por detyra jonë, apo detyra ime më konkrete si avokat është që të komunikojë me prokurorin në formë të shkruar. Mirëpo ky e ka zgjedhë një rrugë jonormale në aspektin ligjor”, tha Gashi.
“Pse ka pasë deklarata të mëhershme që do të bashkëpunojnë me familjen Dehari dhe do t’i njoftojë me rrjedhën e hetimeve penale këtë e ka deklaru në rastin kur kemi pasë takime të përbashkëta, shumë kohë më herët në mes të tij si prokuror i çështjes dhe kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Pastaj kemi pasë takime edhe me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të tanishëm zoti Besim Kelmendi dhe prokurori ka deklarime të mëhershme që do të bashkëpunojë me familjen Dehari dhe do t’i njoftoj lidhur me rrjedhën e hetimeve, por ai këtë fare apo themi kurrë nuk e ka bërë”, shtoi avokati Gashi.
Kujtojmë që aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ai kishte qenë në paraburgim, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të datës 4 gusht 2016.
Rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit ende mbetën të pasqaruara dhe nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit.