Arrestimi i Nagip Krasniqit, kryesheg i KEK-ut, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor pasi është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka shkaktuar shumë reagime.
Ndër opozitarët që kanë reaguar është edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, ka shkruar një status të shkurtër, duke e komentuar arrestimin e Krasniqit.
“Ju ndalen dritat Albinit!!!” – shkroi ai.
Pas bastisjeve të kryera, Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.
Sipas njoftimit, Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë, teksa janë bërë të ditura detajet nga bastisjet që kanë kryer Krimet Ekonomike.
“Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.“, thuhet në njoftim.