​Futbolli lëndë shkollore, FFK me strategji të re për futbollin e vajzave

Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me FIFA-në, tash e disa muaj po punon intensivisht në krijimin e strategjisë për futbollin e femrave. Si një dokument i domosdoshëm i cili ndihmon në zhvillimin e futbollit në këtë konkurrencë, strategjia e cila pritet të lansohet gjatë këtij muaji, FFK synon që t’i arrijë më lehtë synimet e saj për këtë kategori.

Anëtarja e komitetit ekzekutiv të FFK-s, Vjollca Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se në këtë strategji kanë punuar ekspertë vendor dhe nga FIFA në mënyrë që të jetë sa më e përsosur.

“Futbolli i vajzave dhe i grave është më specifik se sa i meshkujve dhe ashtu sikur në të gjithë botën që punohet në zhvillimin e futbollit të vajzave, edhe në si Federatë e Futbollit ka disa muaj që kemi një bashkëpunim të ngushtë me FIFA-në, për të përpiluar një strategji të zhvillimit të futbollit të vajzave. I jemi falënderues FIFA-së që ka shprehur gatishmërinë e plotë për të na mbështetur vazhdimisht në punëtoritë tona që i kemi pasur për disa muaj, në mënyrë virtuale dhe fizike, kemi pasur një punëtori në të cilën kemi mbledhur një numër të madh të njerëzve që merren me futbollin e vajzave, pjesëmarrës të klubeve, administratorë, vajza që luajnë futboll aktivisht.”, tha Krasniqi.

Si pjesë e kësaj strategjie, Krasniqi zbuloi për KosovaPress, se po planifikohet që futbolli të përfshihet në korikulën shkollore si lëndë mësimore.

“Gjatë kësaj kohe, gjatë këtyre punëtorive, kemi parë cilat janë dobësitë, mangësitë, cilat janë mundësitë, sfidat rreziqet në mënyrë që të vëmë në pah se çfarë mund të bëjmë për futbollin e vajzave për katër vitet e ardhshme. Mendoj që është bërë një punë e mirë, ende nuk është bërë finalizimi komplet i strategjisë, mirëpo, shpresoj që në këto dy, tri javë të këtij muaji, do ta përfundojmë dhe do ta bëjmë lansimin e saj në një konferencë festive, bashkë me përfaqësues të FIFA-së, Federatën e Futbollit dhe klubet….Kemi paraparë edhe angazhimet, turnetë, kampanjat, festivalet me grupmosha të vogla. Gjithashtu, po pretendojmë që në kurikulën shkollore, ta kemi edhe futbollin si lëndë që do të mësohet në mënyrë të vazhdueshme ”, theksoi Krasniqi.

Përtej strategjisë, Krasniqi ka folur edhe për Kombëtaren A, të femrave që drejtohet nga suedezja, Anneli Andersen. Ajo ka thënë se me ndryshimet që po bëhen në skuadër, sukseset në një të ardhme të afër nuk do të mungojnë.

“Natyrisht që përvojat e ndërkombëtareve na hyjnë në punë sepse shtetet e tjera janë shumë më larg se sa ne, sidomos Suedia që është një vend që e ka futbollin e vajzave shumë të zhvilluar dhe masovik. Jemi në rrugë të mirë, ka bërë ndryshime në këtë kombëtare dhe shpresojmë që sukseset nuk do të mungojnë në lojërat që i kemi shumë afër”, tha Krasniqi.

Krejt në fund, ajo potencoi mungesën e infrastrukturës si problemin madhor që ka futbolli i femrave në Kosovë. Ajo shtoi se optimizmi është rritur me faktin që Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 dhe se deri atëherë do të ketë investime të shumta në këtë fushë.

“Kemi mungesë të infrastrukturës, kemi mungesë të fushave sportive dhe shpresoj që deri në atë kohë do të ketë përmirësime të shumë si në aspektin e sportive të futbollit, ashtu edhe në ata të sporteve që luhen me dorë. Besoj që do të ketë investime edhe në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve ku do të rregullohet edhe salla e madhe dhe investime të tjera. Mendoj që kjo mundësi do të na sjellë të mira edhe në sportet e tjera të cilat nuk do të jenë pjesë e organizimit të Lojërave Mesdhetare.”, deklaroi tutje Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *