Fshatarët në Llukar i gëzohen rikthimit të Shtëpisë së Kulturës pas disa dekadave

Në fshatin Llukar, vetëm pak kilometra larg qendrës së Prishtinës, dekada më herët kishte filluar së funksionuari Shtëpia e Kulturës. Kjo shtëpi tani po vijon renovimin, ndërsa fshatarët i janë gëzuar lajmit.

Për dekada me radhë, kjo shtëpi ishte burim për informim dhe vetëdijesim kulturor për shumë fshatar të kësaj ane, që me plot mall kujtojnë ditët kur po merrnin pjesë dhe organizonin edhe vet aktivitetet kulturore.

Kjo Shtëpi e Kulturës u braktis pas luftës, njëjtë sikurse edhe shtëpia tjetër e ngjashme e kulturës, e vendosur vetëm kilometra larg këtij fshati, në Keqekollë.

Në periudhën e pasluftës aty po zhvilloheshin pak ose hiq aktivitete kulturore, ani pse objektet po funksionin kohë pas kohe për takime të komunitetit, dhe në vecanti nga partitë politike gjatë fushatave zgjedhore.

Fshatarët ishin pjesë e jetës së pasur kulturore dhe sportive

‘Jeta kulturore ka qenë më e gjallë atëherë’, thotë Faik Krasniqi që kujton ditët e fëmijërisë dhe rinisë në fshat. Ai ishte për shumë dekada mësimdhënës, drejtor shkolle, aktivist dhe veprimtar në rajonin e Gollakut.

‘Në Llukar ka funksionu Shoqëria Kulturore Artistike ‘Jehona e Rinisë’. Aty e kanë gjetë vetën shumë të rinj dhe të reja. Janë organizu edhe koncerte. Disa kanë qenë aktorë, disa kanë qenë këngëtar, disa recitues, shumica shikues, disa sportisë – ka pas edhe klube sportive. Tani ato janë zbehë’, thotë ai në intervistat e organizatës Stereospace, që synon rikthimin e jetës kulturore në këtë fshat.

Pothuajse të gjithë nxënësit që po vijonin mësimin në shkollën pranë, por edhe banorë të fshatrave përreth, ishin të angazhuar në këto aktivitete, të cilat i vlerësojnë si shumë të rëndëdësishme për komunitetin.

‘Nëse dëshirojmë me pasuru dhe fisnikëru shpirtin e njeriut, të rinjëve, duhet me u ngjallë jeta kulturore artistike, në cdo qendër dhe sado e kushtueshme të jetë’, thotë z. Krasniqi në intervistën e realizuar nga Stereospace.

Në këtë shtëpi përvec shtëpisë kulturore artistike, dikur po funksiononin edhe grupe të instrumentistëve, aktorëve, këngëtarëve, grupe letrare, dhe shumë e shumë grupe tjera me pjesëtarë të komunitetit.

Shkolla kishte rol kyç në organizimin e jetës kulturore dhe sportive në fshat

Sic tregon banori tjetër i fshatit Llukar, Ujup Krasniqi, këto grupe në shumë raste janë shpërblyer me vendin e parë në gara mbarë-kombëtare.

‘E mbaj në mend shumë mirë jetën kulturore. Ka pasë shoqëri kulturore artistike që ka zënë vendin e parë në gara disa herë në nivel Kosove. Ka qenë kënaqësi të marrim pjesë në koncerte, drama, salla gjithmonë ka qenë plot’, thotë Ujup Krasniqi, veprimtar i njohur dhe ndër personat më të rëndësishëm dhe më aktiv të komunitetit në fshatin Llukar.

Në tregimin e tij në intervistën e realizuar nga Stereospace, Ujupi tregon se kjo shtëpi është ndërtuar përafërsisht të njejtë kohë kur është ndërtuar edhe shkolla në këtë fshat.

Më tutje, Ujupi tregon se shkolla ka luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive në këtë komunitet, me drejtorët që kanë përkrahur jashtzakonisht shumë këto aktivitete.

Artistë dhe aktivistë të Stereospace rikthyen shtëpinë e kulturës

E sikurse drejtorët e mëhershëm, edhe drejtori aktual i shkollës ‘Ganimete Tërbeshi’ në Llukar dhe ish nxënës i kësaj shkolle, ishte shumë aktiv në procesin e rikthimit të shtëpisë së kulturës, bashkë me organizatën Stereospace.

Dritoni kujton ditët e tij të fëmijërisë dhe aktivitetet kulturore në fshat, pjesë e të cilave ishte edhe vet.

‘Qendra kulturore ka qenë aktive deri pas luftës. E mbaj mend shumë mirë. Kishim shumë aktivitete. Ka pasë filma të animuar, programe filmash, muzikë. Si nxënës i kësaj shkolle e kujtoj shumë mirë, qendra ka qenë shumë aktive dhe atraktive’, sqaron Dritoni.

Organizatës Stereospace i është lejuar shfrytëzimi i kësaj hapësire në vitin 2018 nga Komuna e Prishtinës. Ata bashkë me ndihmën e komunitetit kanë adaptuar këtë qendër të braktisur dhe të demoluar, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve kulturore në fshat.

Edhe pse në gjendje të keqe, menjëherë pas rifillimit të aktiviteteve kulturore, qendra u vizitua nga shumë pjesëtarë të komunitetit, e posaqërisht nga rreth 300 nxënësit që po vijonin mësimin në shkollën publike pranë. Ata po merrnin pjesë në mësime pa pagesë në instrumente, programe shfaqjesh dhe filmash, të organizuara nga organizata Stereospace.

‘Ndërsa po funksiononte qendra kishim orë për kitarë dhe piano, kemi shiku edhe shumë filma të ndryshëm’, thotë Elsa Krasniqi, nxënëse në shkollën ‘Ganimete Tërbeshi’ dhe aktiviste e rinisë.

Nxënësit i gëzohen më së shumti rikthimit të ‘kulturës’ në fshat

Pas interesimit të lartë të komunitetit për të marrë pjesë në aktivitete kulturore, kjo qendër filloi renovimin e plotë nën mbështetje të Komuna së Prishtinës, dhe së shpejti pret hapjen dhe zhvillimin e programit të rregullt kulturor për komunitetin dhe artistët.

‘Shtëpia e kulturës ka me pasuru shumë fshatin tim. Ka shumë nxënës që janë të apasionuar pas muzikës, shfaqjeve. Për fat të mirë, po vjen objekti më i ri, dhe kjo do të na sjellë edhe më shumë vullnet në fshat’, ka thënë Elsa në intervistën e realizuar nga Stereospace.

Organizata Stereospace, një grup muzicientësh dhe aktivistësh nga Prishtina, ka kohë që po bën përpjekje për rikthimin e jetës kulturore në fshat. Pak para fillimit të renovimit, ata organizuan aktivitete të shumta kulturore që u përcollën nga fshatarët.

Përpjekjet e Stereospace për rikthimin e Shtëpisë së Kulturës u përkrahën nga banorët, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, si dhe organizata të ndryshme të vendit dhe ndërkombëtare.

Në pritje të përfundimit të renovimit të Shtëpisë së Kulturës, kjo organizatë po vijon përpjekjet për të bërë Shtëpinë e Kulturës të qëndrueshme, ndërsa ka bashkëbiseduar dhe intervistuar pjesëtarët e komunitetit në lidhje me problemet me të cilat përballen, si dhe për përparësitë e të jetuarit në fshat.

Intervistat u realizuan në kuadër të projektit ‘Të fala nga fshati’, që u organizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e STEREOSPACE dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *