Foshnjat e para në 2023, në Maqedoninë e Veriut djalë, në Shqipëri e Kosovë vajza

Foshnja e parë e lindur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023 është djalë ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë janë vajza. Fëmijët e sapolindur dhe nënat janë në gjendje të mirë shëndetësore, raporton Anadolu Agency (AA).

– Maqedoni e Veriut 

Në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup në ora 00:01 ka lindur foshnja e parë në vitin 2023. Foshnja është e gjinisë mashkullore, peshon 3.720 gram dhe është e gjatë 51 centimetra, informojnë nga Instituti Shëndetësor Publik Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë Shkup.

“Vitin po e fillojmë me një ngjarje të bukur, një foshnjë e gjinisë mashkullore, i shëndetshëm erdhi në jetë në Klinikën e Gjinekologjisë vetëm një minutë pas mesnate në vitin e ri 2023. Ai është fëmija i parë në familje”, tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

“Nënës dhe foshnjës i uroj shëndet të plotë, suksese, gëzime dhe fëmijëri të lumtur e të buzëqeshur. Ju uroj një vit të suksesshëm të gjithë qytetarëve, ndërsa veçanërisht dua t’i falënderoj të gjithë punonjësit shëndetësorë për punën fisnike”, tha mes tjerash ministri Sali gjatë vizitës së sotme në Klinikën Universitare për Gjinekologji.                                              

Shqipëri

Në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë ka ardhur në jetë fëmija i parë, që prindërit e saj ia kanë vendosur emrin Promisa.

“Është vajzë fëmija i parë i vitit 2023, që lindi shëndosh e mirë në maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, me të trokitur ora 00:00”, ka shkruar në rrjetet sociale ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.

Ajo ka shtuar se një minutë pas ndërrimit të viteve erdhi në jetë edhe një djalë i shëndetshëm, që lindi në Maternitetin “Koço Gliozheni”, në Tiranë.

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, mjeku i Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Fatjon Balla, tha se foshnja e parë e lindur në 2023 gëzon shëndet të plotë.

“Promisa që lindi në minutën e parë është vajzë dhe foshnja e dytë ishte djalë. Gëzojnë shëndet të plotë si bebet dhe nënat. Dita e fundit ishte një ditë e zakonshme dhe pati ecuri normale si çdo ditë tjetër e vitit këtu në Maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë'”, tha Balla.

 – Kosovë

“Në Qendrën Klinike Universitare në këtë ditë të ndërrimit të viteve, për gatishmërinë vetëmohuese të profesionistëve shëndetësorë për të ofruar shërbimet për qytetarët e vendit. Bashkë me kryeministrin e Republikës, Albin Kurti uruam Elonën dhe Arbnorin, prindërit e Dua Rrustemit, foshnjës së parë në klinikën e Gjinekologjisë për vitin 2023 e më pas ishim në mesin e stafit të Klinikës së Neonatologjisë”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Me kryesuesen e Bordit të SHSKUK, dr. Aida Rexhepi dhe u.d. drejtoreshën, dr. Pranvera Zejnullahu Raci vizituam shërbimet e Emergjencës dhe Klinikën e Pediatrisë. Bashkë shprehëm mirënjohjen për mjekët dhe infermierët që po punojnë me shumë përkushtim në këtë ndërrim motmotesh”, tha ministri Vitia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *