Fjalimi i plotë i Kurtit, ‘arritëm rritjen më të lartë ekonomike’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë ka mbajtur një fjalim të gjatë, ku ka folur për sfidat dhe të arriturat për punën dyvjeçare të qeverisë së tij.

Kurti fjalimin e tij e ka filluar me punës e pandemisë Covid-19 dhe me sigurimin e vaksinave.

Ai ka theksuar punën e qeverisë për menagjimin e krizës energjetike dhe krizës ekonomike.

“E megjithatë, përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia, kriza energjike dhe pasojat e luftës në Ukrainë, rritja mesatare ekonomike në këto dy vite, ka qenë rreth 7%, që është më e lartë se çdo rritje tjetër mesatare për dy vite tjera rresht, që nga shpallja e Pavarësisë. Për dy vite, buxhetit të shtetit i janë shtuar 760 milionë euro, kurse ekonomisë, 2.1 miliardë euro. Të gjitha këto pa ndryshime të politikave fiskale. Rezultat drejtpërdrejt i qeverisjes së mirë, i luftimit të ekonomisë joformale, parandalimit të kontrabandës, formalizimit të punëtorëve dhe ngushtimit të hendekut tatimor”, ka thënë ndër të tjera ai.

“Të vetëdijshëm për nevojat dhe kërkesat e vendit, në pjesën e dytë të mandatit tonë duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më shpejtë”, ka thënë në fund të fjalimit Kurti.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 136-të të qeverisë

Të dashur qytetarë,

Sonte në orën 19:48 minuta do të bëhen dy vjet prej zgjedhjes së Qeverisë suaj.

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,

Nesër, në këtë kohë, bëhen dy vjet nga dita e parë e shërbimit tonë.

Shpresa për më mirë dhe besimi, që ajo mund të arrihet, janë shkaku dhe arsyeja se pse ne jemi këtu. Të zgjedhur të popullit për ta bërë ndryshimin, me një kabinet të përzgjedhur për ta realizuar potencialin.

Sot, pandemia COVID-19 për shumë prej nesh edhe mund të na duket si një kujtim i largët. Nganjëherë sureale. Por, është dhembja për humbjen e më të dashurve tanë, familjarëve e miqve, që na rikujton më së miri rrezikun që e kemi jetuar vetëm diç më pak se dy vjet më parë. E dy vjetme parë, në mars të vitin 2021, për fat të keq të qytetarëve tanë, Kosova nuk kishte as edhe një vaksinë dhe asnjë kontratë për vaksina. E tillë ishte e vetmja në rajon. Qeveria pararendëse, kishte dështuar t’i sigurojë ato.

Virusi corona, nuk ishte vetëm shkaktar i krizës globale shëndetësore. Mbyllja dhe masat kufizuese, që kishin zbatuar shtetet për të menaxhuar shkallën e shpërndarjes së tij, kishin ulur shumë edhe aktivitetin ekonomik. Ekonomia botërore praktikisht pauzoi. Qytetarët, të mbyllur e të pasigurt për të ardhmen e tyre, kursenin. Në vitin 2020, sipas Bankës Botërore, Kosova kishte pësuar tkurrje ekonomike prej – 5.3%.

Hapja e ekonomive botërore dhe rikthimi në normalitet, sado pozitive dhe e domosdoshme, pati edhe pasoja anësore. Në vrap për të nxënë hapin, të vërshuar nga kërkesat e mëdha të tregut, ekonomitë më të mëdha prodhuese kishin nevojë për më shumë konsum të energjisë elektrike. Madje më shumë se ç ‘mund të prodhohej. Në fund të vitit 2021, kontinenti i Evropës, por jo vetëm, po ballafaqohej me krizë energjetike. Më pak energji elektrike në treg, nënkuptonte çmime më të larta të importit të energjisë, që si për domino efekt kishin rritjen e çmimeve të produkteve bazë.

Fillimi i vitit 2022, shokoi kontinentin e Evropës, por jo befasisht. Agresioni publik dhe diplomatik i Rusisë ndaj Ukrainës, me 24 shkurt, mori trajtën e agresionit ushtarak tradicional. Muajin e kaluar u bënë 1 vit. Lufta në njërën anë dhe sanksionet e përbashkuara ndaj Federatës Ruse në anën tjetër, rënduan edhe më shumë krizën botërore të deriatanishme.

Rusia ishte prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në tregun botëror. Energjia elektrike, që mundëson prodhimin dhe nafta që mundëson transportin e produkteve të prodhuara, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit të furnizimit me produktet që konsumojmë, ndikuan drejtpërdrejt në inflacionin e importuar.

Në Kosovë, varësia ndaj importit të energjisë elektrike, në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme të gjenerimit të energjisë elektrike dhe ndaj produkteve, që konsumojmë në mungesë të prodhimtarisë vendore, zhveshi paturpësisht keqqeverisjen 13-vjeçare dhe shkurtpamësinë e politikave ekonomike.

Vendi kishte nevojë për rikthim, rikuperim, ringjallje. Rikthim të normalitetit. Rikuperim të dëmeve. Ringjallje të ekonomisë.

Qeverisë sonë iu deshën vetëm 2 muaj, kundruall 9 sa kishte kohë qeveria paraprake, që të negociojmë dhe të nënshkruajmë kontratën me kompaninë Pfizer për 1.2 milionë doza të vaksinave. Brenda 100-ditëshit të parë siguruam 2 milionë sosh. Bashkë me ndihmën dhe donacionet e partnerëve tanë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit të Evropian, nga e fundit në rajon, në kohë rekord, e përkundër skeptikëve të zhurmshëm, Kosova doli e para në Ballkanin Perëndimor për nga përqindja e popullatës së vaksinuar me të paktën një dozë.

Punëtorët shëndetësorë e dinë më së miri se çfarë ndërmarrje e mundimshme, por edhe e suksesshme ishte administrimi i mbi 1.6 milion vaksinave brenda 6 muajve nga fillimi i vaksinimit masiv, për të imunizuar 60% të popullatës së targetuar. Pa profesionalizmin dhe vetëmohimin e tyre, nuk do të ishte e mundur, sikurse edhe pa vetëdijen e lartë të qytetarëve për t’iu përgjigjur thirrjeve për tu vaksinuar. Edhe sot, ju jemi falënderues dhe mirënjohjes. Por, teksa e kujtojmë e shënojmë suksesin e fushatës së vaksinimit, më lejoni që edhe një herë të shpreh ngushëllimet më të thella të gjithë atyre, që pandemia u mori më të dashurit e tyre.

Vaksinimi masiv ishte çelësi i rikuperimit drejt ringjalljes. Mundësoi shtimin e aktivitetit ekonomik, që bashkë me besimin në qeverinë e re, shpresën për të ardhmen, masat emergjente fiskale dhe pakon e Ringjalljes Ekonomike e diktuan performancën ekonomike dhe buxhetore përtej pritjeve të fillim vitit.

Rritja ekonomike në vitin e parë të qeverisjes ishte 10.7% të bruto produktit vendor, më e larta në historinë e vendit. Të hyrat buxhetore u rritën për 1/3 në krahasim me vitin pararendës. Eksportet ishin mbi 100% më të larta krahasuar me vitin 2019, viti i parë më i afërt jo-pandemik apo saktësisht 109.4%. Ekonomia u rritë për 1.18 miliardë euro.

Në vitin e dytë, shënuam rritje ekonomike rreth 4%, pasi që të hiqet inflacioni. Të hyrat tatimore shënuan rritje për rreth 20%. Vlera e eksporteve u rrit për 23%, duke iu afruar kështu, më shumë se asnjëherë më parë, shumës 1 miliard. Ky trend i rritjes ka bërë që raporti ndërmjet eksportit dhe importit të përmirësohet nga gati 1 me 9 sa ka qenë në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht. Nga 1 me 9 në 1 me 6 për dy vjet. Ndërkaq, investimet e huaja në vitin 2022 arritën vlerën rekorde prej 772 milionë euro.

E megjithatë, përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia, kriza energjike dhe pasojat e luftës në Ukrainë, rritja mesatare ekonomike në këto dy vite, ka qenë rreth 7%, që është më e lartë se çdo rritje tjetër mesatare për dy vite tjera rresht, që nga shpallja e Pavarësisë. Për dy vite, buxhetit të shtetit i janë shtuar 760 milionë euro, kurse ekonomisë, 2.1 miliardë euro. Të gjitha këto pa ndryshime të politikave fiskale. Rezultat drejtpërdrejt i qeverisjes së mirë, i luftimit të ekonomisë joformale, parandalimit të kontrabandës, formalizimit të punëtorëve dhe ngushtimit të hendekut tatimor.

Si qeveri social demokrate, këtë rritje ekonomike e rishpërndamë te qytetarët. Në mbrojtje të tyre, për mirëqenien e tyre. Për dy vite hartuam dhe ekzekutuam dy Pako mbështetëse për ta nga të cilat praktikisht përfituan pothuajse çdo familje e Republikës.

– Mbi 280 mijë pensionistë morën shtesa prej 100 euro për gjithsej tre muaj.

– Mbështetëm mbi 24 mijë familje me asistencë sociale, duke ua dyfishuar pagesën për gjithsej katër muaj, pagesë këtë, që paraprakisht e kishim ngritur për 30%.

– U dhamë mbështetje financiare 2950 familjeve, që kanë humbur familjarë nga Pandemia COVID-19.

– Mbi 66 mijë studentë përfituan dy herë shtesa të njëhershme prej 100 euro.

– Përmes 42 organizatave joqeveritare partnere, ndamë mbi 36 mijë pako ushqimore, kurse përmes 19 kuzhinave popullore, mbi 350 mijë shujta për familje dhe ata që kishin nevojë.

– Gati 76 mijë zyrtarë publikë, fillimisht përfituan nga shtesa prej 100 euro në muajin prill të vitit të kaluar e më vonë edhe 200 euro të tjera deri në fund të vitit.

– Punëtorët e sektorit privat përveç mbështetjes së njëhershme prej 100 euro, përfituan edhe nga rritja e pagave nga punëdhënësit e tyre. Javën e kaluar u ekzekutuan subvencionet për punëdhënësit, të cilët i kanë rritur pagat e 17 mijë punëtorëve në sektorin privat.

– Mbi 208 mijë familje përfituan nga subvencioni i faturave të rrymës për kursim të energjisë, mbi 9 mijë familje janë subvencionuar për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje, në të njëjtën kohë që tarifat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët dhe bizneset janë duke u subvencionuar nga Qeveria që prej shkurtit të vitit 2022.

– Nga shtatori i vitit 2021, mbi 34 mijë nëna lehona kanë përfituar shtesa prej 170 euro për tre ose gjashtë muaj, ndërkohë që aktualisht afro 340 mijë fëmijë në Kosovë nën moshën 16 vjeçare marrin shtesa mujore.

– Hartuam dhe financuam disa masa të punësimit për kategori të caktuara shoqërore përmes subvencionit të pagave. Përmes tyre janë punësuar rreth 5 mijë gra dhe 239 persona me aftësi të kufizuara. Afër 1500 familje më shumë kanë regjistruar të paktën një anëtar të punësuar, falë skemës “Qeveria për Familje”. E në platformën Superpuna për të rinjtë e moshës 18 dhe 25 vjeç, të cilën e lansuam vetëm muajin e kaluar, deri më tani janë mbi 1500 marrëdhënie pune të lidhura për këtë grup moshë gjithsejtë 7 vjet, pra nga 18 në 25 vjeç.

– Për fermerin vendor e rritëm përkrahjen financiare deri në 216%.

– Lehtësuam procedurat e aplikimit dhe për dy vite ndamë 110 milionë euro subvencione e 26 milionë euro grante, me të cilat mbështetëm rreth 30 mijë fermerë.

– Në total rishpërndamë mbi 842 milionë euro, teksa konsoliduam financat publike dhe nuk shkaktuam borxhe të reja. Shembull i menaxhimit të financave publike.

Në këto 24 muaj bashkërrugëtim, vullneti dhe ambiciet tona janë përballur me një teren të rënd të trashëguar dhe në të njëjtën kohë me sfida të jashtme të paprecedent. Nga ne kërkohej menaxhim i mirë, politika të mençura dhe solidaritet gjithë shoqëror. Duke përfshirë këtu dhe një nga detyrat më të vështira të qeverisjes: balanci ndërmjet besnikërisë ndaj vizionit për të ardhmen dhe pragmatizmit në adresimin e problemeve të së tashmes.

Këto ishin përgjigjet tona ndaj pyetjeve që ngriti pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë. Unë besoj thellë që kanë qenë përgjigjet e duhura në të tre këto sfida dhe me këto kemi arritur si shtet, si shoqëri, si institucione të përballemi me sukses.

Ndërkohë që:

Arritëm marrëveshjen 236.7 milionë dollarëshe me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC-në Amerikane, për bateritë me kapacitet 340 MWh dhe investimin 64 milionës për projektin “Solar4Kosovo” për ndërtimin e impiantit për ngrohje solare prej 70 MW, ndër më të mëdhenjtë në Evropë.
Inauguruam Parkun e Erës në Selac me kapacitet prej 105 MW.
Arsimin Publik e bëmë falas, duke liruar kështu nga pagesa semestrale dhe administrative mbi 42 mijë studentë.
Angazhuam mbi 160 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta.
Përfunduam punimet në katër çerdhe dhe adaptimin e pesë shkollave në kopshte.
Pilotuam arsimin dual për katër profile, me 107 nxënës në 28 ndërmarrje, me qëllim ndërlidhjen e arsimit profesional me tregun e punës.
Rikthyem Agjencinë e Kosovës për Akreditim në ENQA, si anëtare e asociuar pas përjashtimit në vitin 2019.
Ndamë afro 4000 bursa studentore për studime brenda dhe jashtë vendit, prej tyre 2000 për studente vajza në fushën STEM.
Trepça vitin e kaluar, për herë të parë që pas luftës, shënoi bilanc pozitiv financiar.
Avancuam drejt Vetingut në drejtësi pas dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias.
Funksionalizuam Gjykatën Komerciale.
Miratuam Ligjin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilët janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese siç e dimë dhe po vonohet reforma jonë.
Buxhetit ia shpëtuam rreth 100 milionë euro falë fitoreve të Republikës së Kosovës në Arbitrazh Ndërkombëtar.
Shkatërruam 14 laboratorë të drogës, prej të cilave 8 në veri.
Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit që përdoreshin për kontrabandë nga grupe kriminale.
U sekuestruan rreth 2 ton substancë narkotike.
U sekuestruan mbi 100 vila të ndërtuara ilegalisht në parkun nacional në Brezovicë.
Shpëtuam dhe mbrojtëm deri në 65 monumente falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve.
Organizuam Bienalen nomade “Manifesta 14”, gjatë të cilës u regjistruan 800 mijë vizita dhe ku u ekspozuan vepra artistike të 103 artistëve nga 30 shtete;
Themeluam institucionin e Operës së Kosovës.
Aprovuam kushtet për Shpalljen e Procedurës së Prokurimit për Projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Lincencuam dhjetëra federata të sportit.
Mbushëm rezervat shtetërore boshe.
Rritëm numrin e inspektimeve në teren.
Formalizuam me licenca valide 98% të shitësve të karburanteve, nga vetëm 50% sa ishin në vitin 2020.
E dyfishuam praktikisht buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Investuam në pajisje ushtarake.
U rekrutuan mbi 1240 ushtarë të rinj.
Larguam kufizimin në numër të FSK-së, duke e bërë kështu të hapur për çdo të re e të ri të deri në moshën 25 vjeçare.
Bëmë hapin historik të aplikimit në Bashkimin Evropian dhe Këshill të Evropës për anëtarësim.
Zhbllokuam procesin e liberalizimit të vizave, që pritet të përfundojë shumë shpejt.
Rikthyem 3 terminale doganore në pronësi të shtetit dhe 2 të tjera janë në proces.
Punuam e angazhuam në rivitalizimin e rrjetit hekurudhor të Kosovës.
Nënshkruam marrëveshje me Shqipërinë për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projektit për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës.
Nënshkruam marrëveshjen dhe për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe asaj Deçan-Plavë.
Hapëm procedurat për ndërtimin e rrugëve nacionale e regjionale, Kijevë – Zahaq, Prishtinë – Podujevë dhe Prishtinë – Mitrovicë.
Funksionalizuam Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit Mjekësor.
Dyfishuam buxhetin për Listën e Barnave Esenciale.
Miratuam në Qeveri Projektligjin për çmimin tavan të barnave, sikurse edhe udhëzimin administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, që i krijon lehtësira edhe mjekëve nga Lugina e Preshevës.
Ndamë 2 milionë euro për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, ndërkohë që deri më tani para vitit 2021 Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë bashkë kishin ndarë më pak se 500 mijë euro për Luginën.
Finalizuam reformën e brendshme dhe kthyem ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Angazhuam profesionistë të mërgatës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes programit për Diplomaci Qytetare.
Avancuam marrëdhëniet diplomatike me Poloninë dhe Timorin Lindor dhe të statusit të Zyrës së Kosovës në Greqi.
Rritëm numrin e shërbimeve administrative të digjitalizuara.
Përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal, mbështetëm komunat me rreth 40 milionë euro, prej të cilave rreth 100 projekte janë vetëm investime kapitale.
E larguam detyrimin për homologim të veturave.
Mbuluam shpenzimet e kartonit të gjelbër për mërgatën.
Miratuam Ligjin për Paga dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe reformën, që këto dy ligje mundësojnë në administratën publike.
Shënuam përmirësim, për 20 vende në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International për të mirë dhe 17 vende në indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufi.
U renditëm në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për vitin e dytë rresht dhe vendin e dytë në botë për nga përmirësimi sa i përket sundimit të ligjit, sipas Projektit të Drejtësisë Botërore ( World Justice Project).
Si dhe në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor, të dytin në Evropë dhe të tretin në botë për nga progresi i arritur në të drejtat politike dhe liritë civile sipas raportit të fundit të Freedom House.
E shumë vendime e nisma të tjera me rëndësi për të cilat, të dashur anëtarë të kabinetit qeveritar, ju ftoj që ditëve e javëve në vijim, t’i prezantoni para qytetarëve një nga një, siç është fushë veprimtaria e ministrive që ju i udhëhiqni.

Të vetëdijshëm për nevojat dhe kërkesat e vendit, në pjesën e dytë të mandatit tonë duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më shpejtë.

Ju faleminderit e punë të mbarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *