Fëmijët ukrainas rikthehen në shkolla ndërsa përballen me realitetin e luftës

Me afrimin e vitit të ri shkollor, po rikthehen në Ukrainë edhe shumë prej familjeve të larguara drejt Evropës. Ata dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë brenda sistemit arsimor ukrainas, të lidhen me komunitetin e tyre dhe pse jo, ndoshta të kenë mundësinë edhe të vizitohen nga baballarët e tyre që shërbejnë në ushtrinë ukrainase.

Miliona ukrainas, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, u larguan nga vendi pasi forcat ruse filluan sulmin në shkurt 2022, por shumë prej tyre janë rikthyer tashmë.

Ata nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të humbasin mundësinë e shkollimit brenda sistemit ukrainas dhe po i përgatisin fëmijët për vitin e ri shkollor.

“Po ktheheshim dhe e dija që vazhdonin bombardimet dhe që fluturonin dronët Shahed. Kjo do të jetë rutina jonë për shumë vite në vazhdim. Nuk jam e sigurt nëse kjo luftë do të përfundojë së shpejti, kështu që duhej të vepronim sipas realitetit. Kështu që përzgjodha shkollën që na përshtatej”, thotë nëna 43-vjeçare Klarysa Kyrychenko.

Ajo u rikthye nga Gjermania në muajin mars me tre nga katër fëmijët e saj.

“Në veçanti fëmijët e fillores e kanë të nevojshme si ajrin që thithin; duhet të komunikojnë me fëmijët e tjerë, sepse është gjatë kësaj periudhe kur zhvillohet socializimi aktiv. Krijojnë aftësitë për të folur me shokët dhe për të gjetur mënyra për të zgjidhur problemet. Nuk e bën dot këtë në internet”, thotë zonja Kyrychenko.

Ajo mendon se është thelbësore që fëmijët të jenë në një mjedis të njohur dhe ku mund t’i vizitojnë baballarët që shërbejnë në ushtri.

“Ka të bëjë me qetësimin e fëmijës. Kur një fëmijë është ndarë nga babai dhe të afërmit është e vështirë për të. Nuk e kupton se përse po ndodhin këto gjëra”, thotë zonja Kyrychenko.

Ajo mendon se marrja e një arsimi ukrainas ka rëndësi.

“Kur fëmija merr arsim ukrainas, do të thotë se është i gatshëm të kthehet në atdhe. Sa më gjatë të qëndrojnë në shkollat evropiane aq më të pakta janë shanset që të rikthehen, pasi do jenë duke ndjekur kërkesat e arsimit evropian”, thotë zonja Kyrychenko.

Djali i saj gjashtëvjeçar, Ulas, thotë se dëshiron të bëjë shokë të rinj dhe të mësojë gjëra të reja. Ai sidoqoftë kërkon të tregojë njohuritë e tij gjeografike.

“Këtu është Ukraina. Dhe kjo është Rusia… Rusia është shumë e madhe, vendi më i madh në botë. Dua që të fitojmë ne”, thotë ai.

6-vjeçari thotë se është tashmë gati për të shkuar në shkollë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *