Psikologu Kreshnik Avdiu ka folur për problemet e ndryshme të cilat po shfaqen tek femijët.
Sipas tij, fëmijët nuk janë si më parë, pasi nuk kanë interesim për gjëra me rëndësi, shkruan neutral.al.
Teksa ai shton se ata kanë edhe probleme me të nxënit, e krejt kjo po ndodh për shkak se prindërit nuk merren me fëmijët e tyre aq sa duhet.
Postimi i tij i plotë:
Pse nga viti 2012 e këtej janë shtuar rastet e fëmijëve me probleme me të nxënit dhe interaksionin, si dhe probleme të tjera të ngjashme?! I keni vërejtur fëmijët se si flasin në Anglishte të filmave të animuar? I keni vërejtur nëpër shkolla se si shkruajnë keq, lexojnë keq, nuk shoqërohen si fëmijët dikur, dhe për më tepër, nuk shihen rezultate edhe kur punohet me një profesionist të shëndetit mendor? Pse?
Vite më parë, me fëmijën 10, 11, 12, 13 vjeçar ke pasur mundësi të flasësh, të ka dëgjuar, ka shprehur interesim për bisedën, ka pasur fokus, ka ditur të flasë rrjedhshëm, ka ndjekur shembull në familje, ka shprehur interesim për lojëra të vërteta, për vizita tek të afërmit, dhe në të shumtën e rasteve ka arritur ta idealizojë prindin në përjetimet e veta!
Tash, prindërit janë bërë “armiqët” më të mëdhenj të fëmijëve të tyre, sepse janë ata që i vetmojnë fëmijët me lojërat e pavërteta dhe të dëmshme nëpër monitorët e mjeteve “të mençura”, nuk kalojnë kohë me ata, nuk u tregojnë përralla, nuk i nxisin për mësime dhe preferojnë t’i kushtojnë kohë veç vetes. Edhe dashurinë ndaj tyre, çuditërisht dhe gërditshëm, e shprehin përmes rrjeteve sociale, gjithnjë me një tendencë të shpifur të shfaqjes së një lumturie, dashurie e harmonie tek ndjekësit e tyre online, e që tek fëmija, kjo gjë është e padukshme, e pavlerë dhe e pa benefit!
Probleme të shumta mendore janë shfaqur tek fëmijët e sotëm si rezultat i lojërave famëkëqija – produkte të milionerëve shërbëtorë të djallit, ndërsa ministritë e arsimit dhe shëndetësisë në vendet tona flejnë dhe mirren me ide politike palidhje e fushata, me promovim të antivlerave dhe ideve shkatërruese për t’i kënaqur egot e armiqëve që na paraqiten si miq!
Sot, në masë, fëmijët nuk po dinë të shkruajnë dhe të lexojnë Shqip, ndërsa edhe atë Anglishte që e flasin është e filmave, e të cilën nuk janë në gjendje as ta shkruajnë e as ta lexojnë mirë, e që normalisht është e pamundur ta njohin si gjuhë të dytë kur gjuhën amtare nuk e njohin as për së afërmi!
Nëse nuk ndryshojmë MENJËHERË, do mbetemi pa intelektualë të mirëfilltë, PA USHTRI, pa mjekësi, por edhe PA SHTET!
K.A.