“EuropaNostra” e vlerëson Manastirin e Deçanit “monument të rrezikuar”, reagon Bashkim Ramosaj

Pas vlerësimit nga Organizata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore, “Europa Nostra” se Manastiri i Deçanit është një “monument i rrezikuar”, filluan reagimet.

Ai që e quajti skandaloz këtë raport është kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ramosaj gjithashtu u shpreh se raporti është i pabazuar dhe tendencioz.

Ndër të tjera, në raport thuhet se ky Manastir ka tendencë për të rishikuar identitetin kulturor e historik.

Reagimi i tij i plotë:

“Vlerësojmë se raporti i publikuar me datë 13.07.2022, nga “EuropaNostra” është i pabazuar dhe
nuk përket me realitetin e përditshëm i cili ndodh në komunën e Deçanit.
Në këtë raport “EuropaNostra” fokusohet në tri pika kryesore dhe jo vetëm.
Referuar raportit të “EuropaNostra” për të cilin shpreh keqardhje për formën dhe përmbajtjen mbi të cilën është ndërtuar ky raport.
Më lejoni të sqaroj për “EuropaNostra” dhe gjithë mekanizmat tjerë disa çështje thelbësore të rëndësishme, referuar tri pikave mbi të cilat është hartuar ky raport. Së pari, nga komuna e Deçanit, institucionet tjera të këtij vendi e në veçanti nga qytetarët e kësaj komune, Manastiri i Deçanit konsiderohet si potencial i rëndësisë së veçantë për zhvillimin
kulturor dhe turistik të kësaj ane, duke vlerësuar funksionimin konform normave dhe ligjeve mbi të cilat funksionon ky shtet e që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, duke theksuar në veçanti të kaluarën dhe të sotmen identitare të këtij Manastiri.
Rikujtojmë që ky Manastir si vlerë e trashëgimisë kulturore, historike dhe fetare, është pjesë e “Pakos së Ahtisarit”, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve tjera pozitive të Republikës së Kosovës si dhe mbrohet me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura nga i cili ligj derivon KZM-ja (Këshilli Zbatues Monitorues) për Zona të Veçanta. Vlerësojmë që pretendimi i “EuropaNostra-s”: “Që Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet me tendencën për të rishikuar identitetin
kulturor dhe historik”, është i pabazuar, është dashakeqës dhe nuk i kontribuon qëllimeve parimore të Republikës së Kosovës, parime këto të sanksionuara me ligjet apo normat e lartcekura.
Rikujtojmë njëkohësisht për “EuropaNostra” raportet e KFOR-it si përgjegjës i drejtpërdrejt i ofrimit të sigurisë sipas mandatit të tij ligjor, përfshirë mekanizmat tjerë të sigurisë sikurse Policia e Kosovës e deri te KKSB-ja (Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi), ku pjesë e këtij Këshilli është edhe personeli i Manastirit të Deçanit. Raportet e këtyre mekanizmave dëshmojnë se për më shumë se një dekadë siguria rreth Manastirit të Deçanit është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe se nuk ka vend për shqetësim për sigurinë, duke u thirrur në traditën shekullore të qytetarëve të këtij vendi të cilët e kanë mbrojtur dhe ruajtur këtë Manastir. Kjo traditë dhe kjo kulturë e qytetarëve të këtij vendi së paku duhet të vlerësohet.
E themi me bindje që “EuropaNostra” nuk i është referuar në asnjë moment raporteve zyrtare të nxjerra nga mekanizmat relevante të sigurisë, përfshirë KFOR-in si përgjegjës i drejtpërdrejtë në këtë zonë (shih raportin e publikuar të datës 24.04.2021, raport ky i publikuar nga Komandanti i KFOR-it), i cili i është prezantuar delegacionit të ”EuropaNostra” gjatë takimit në komunën e Deçanit! Për sqarim më të saktë “EuropaNostra” dhe palëve tjera të interesuara sa i përket sigurisë juridike, mund të themi me bindje dhe t’a argumentojmë se për zhvillimin e projekteve në këtë
zonë gjithmonë e kemi respektuar në plotni Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, njëkohësisht kemi kontaktuar autoritetet kompetente zyrtare, KZM-në, siç është rasti i: Ndërtimit të shtratit të lumit Lumbardh, ku pas shumë përpjekjeve dhe diskutimeve, KZM-ja refuzon kërkesën tonë në vitin 2019, pas këtij refuzimi komuna është detyruar që të merr vendim
që ta dislokoj investimin në një pjesë tjetër të të njëjtit lum. Informatë e cila është dëshmuar para delegacionit të “EuropaNostra” gjatë takimit në komunë. Kërkesën drejtuar personelit të Manastirit për rehabilitimin e rrugëve në zonën e veçantë mbi të cilën kemi pas përgjigje pozitive me datën 08.04.2020, e kemi vlerësuar si pozitive dhe kemi bërë ndërhyrjet e duhura në atë zonë sipas dakordimit që kemi pasur.
Mirëpo mbi këtë pëlqim të dhënë është bërë përpjekje dëshpëruese për t’u keqinterpretuar nga çarqet e caktuara.
Vlerësoj që i tërë komuniteti ndërkombëtar e në veçanti organizata juaj “EuropaNostra”është në dijeni të këtij fakti.
Njoftojmë dhe sqarojmë organizatën tuaj “EuropaNostra” që në muajin nëntor me datë 09.11.2020, kemi rënë në dakordim për ndërtimin e sinkronizuar të rrugëve alternative në zonën
e veçantë të cilat zgjidhin çështjen e qarkullimit të automjeteve përreth Manastirit, me theks të veçantë vlen të ceket dakordimi jonë si komunë që në rrugën e Manastirit të qarkullojnë automjetet e lehta, qarkullimi i të cilave nuk përbëjnë cenim për Manastirin, siç pretendon
(EuropaNostra). Njoftojmë organizatën tuaj “ EuropaNostra” që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 dhe tejzgjatja – prolongimi i moszbatimit të këtij vendimi ka të bëjë me aspekte administrative, jo thjesht ligjore dhe gjyqësore, pra është një proces i cili në të ardhmen do marr epilog. Ju njoftojmë sa për kureshtjen tuaj që sa i përket sigurisë juridike në vitin 2021 ne kemi ndalur punimet në segmentin e shëtitores së qytetit në Rrugën e Manastirit e cila kalon nga qendra e qytetit – kah Gjimnazi i Deçanit në drejtim të Manastirit, këto punime janë ndalur në kufi me zonën e veçantë pas kërkesës së Manastirit të Deçanit dhe KFOR-it.
Vlerësojmë se, “EuropaNostra” është dashur që t’i trajtoj me më kompetencë dhe profesionalizëm aspektin e sigurisë juridike duke iu referuar organizatave ndërkombëtare që në mandatin e tyre e kanë monitorimin për zbatimin e ligjshmërisë siç është OSCE, BE, KZMja si trupë monitoruese dhe dokumenteve relevante të cilat i posedon komuna e Deçanit. Ne, shprehim indinjatën tonë kundrejt pretendimit të organizatës suaj që Manastiri i Deçanit të shpallet ndër 7 objektet më të rrezikuara, pa i vlerësuar faktet konkrete të cilat kanë relevancë për çështjen në fjalë, dhe të cilat u janë ofruar delegacionit tuaj gjatë takimit në komunën e Deçanit. Vlerësojmë që në raportin përfundimtar “EuropaNostra” të mos e dëmtoj imazhin e mirë të këtij vendi, të mos cenoj vlerat e krijuara mbi traditën e kësaj popullate dhe të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga qëllimet dashakeqe të çarqeve të caktuara të cilat investojnë për raportet e këqija duke bërë një ndasi apo hendek në mes Manastirit të Deçanit, institucioneve dhe qytetarëve të këtij vendi. E themi me përgjegjësinë më të lartë që objektivat dhe qëllimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të komunës së Deçanit janë paqësore, objektiva të zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës së harmonizuar, duke respektuar, mbrojtur
e njohur vlerat e kujtdo qofshin në këtë shtet e në veçanti të Manastirit në fjalë” thuhet në reagimin e Ramosajt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *