Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë sot ka bërë thirrje që të raportohet dhuna në familje, pasi si e tillë ajo përbën krim.
Në një postim në Facebook, ambasada u është referuar raporteve dhe hulumtimeve të organizatave të shoqërisë civile mbi dhunën në familje.
“Bazuar në raporte dhe hulumtime të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile, dhuna në familje vazhdon të jetë një nga krimet më të pa raportuara në Kosovë. Dhuna në familje nuk duhet parë si një çështje private apo si një çështje familjare”, thuhet në postim.
Ambasada e SHBA-së ka publikuar numrat e kontaktit për raportim të rasteve. “Dhuna në familje është KRIM. Mos e duroni, raportojeni: 0800 11 112 ose 192”.
Ndryshe, Kosova ka aprovuar protokollin për përgjigje ndaj rasteve të dhunës seksuale për të siguruar mbështetje konsistente për të mbijetuarit e dhunës seksuale, si dhe ka ofruar veprimet standarde për trajtimin e dhunës seksuale si formë serioze e dhunës dhe për të forcuar dhe qartësuar rolet dhe përgjegjësitë ndërmjet institucioneve dhe shërbimeve të ofruesve.