I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin javën që vjen.
Nga BE-ja kanë konfirmuar se përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak dhe dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, do të qëndrojnë të hënë dhe të martën në Prishtinë dhe Serbi, ku do të angazhohen për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Përfaqësuesi i BE-së dhe ai i SHBA-së, të hënën do të jenë në Kosovë, ndërsa të martën në Serbi.Thirrje për shtensionim të situatës palëve u kanë bërë sot edhe SHBA-ja dhe BE-ja.
Zëvendës Këshilltari kryesor për Siguri Kombëtare në SHBA, Jon Finer ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Finer nënvizoi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa që synojnë de-përshkallëzimin e situatës.Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale.
“Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar në kushte për zgjedhje të reja. Z. Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të ri angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.Dy ditët e fundit si kryeministri Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë shprehur vullnetin për zgjedhjet e reja.Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”.Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, është dënuar dhuna që ka ndodhur në veri ditë më parë, dhe që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.Tensionet në veri u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale, për shkaqe sigurie.Kurse më 26 maj, ata u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat në ndërtesat komunale që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar fuqishëm vendimin e Qeverisë së Kosovës, siç kanë thnënë, “për të hyrë me forcë” në ndërtesat komunale në veri. NATO-ja kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës.Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjendja e tanishme kërkon që të zbatohet Marrëveshja bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe të qetësohet situata në veri të Kosovës.Në kuadër të dialogut, mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, më 27 shkurt palët arritën Marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve, ndërkaq në mars u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.Marrëveshja nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.