Escobar dhe Chollet “në një mendje”, të dy thonë se marrëveshja s’po gjen zbatim nga asnjëra palë

Emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i është bashkuar deklaratës së këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, se as Kosova dhe as Serbia nuk po e zbatojnë marrëveshjen për normalizim.

“Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”, deklaroi ai për RTK.

Escobar shtoi se të gjitha nenet pa përjashtim duhet të zbatohen.

“Është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti”, shtoi emisari amerikan.

Ai ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione.

“Mund të them se për Serbinë dhe Kosovën urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është edhe esenca e krejt marrëveshjes. Ne duhet të fillojmë menjëherë me vullnet të mirë në implementimin e të gjitha elementeve të saj”.

Ndërsa komentin e tij për mosplotësim të kërkesave të marrëveshjes, Chollet e bëri të ditur në seancën e Komitetit për Punë të Jashtme në senatin Amerikan, ku u fol edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Chollet tha se ShBA-të dhe BE-ja nuk janë duke parë implementim nga asnjëra palë në marrëveshje, ndaj do vazhdojnë intensivisht të përqendruar në mënyrë që të arrihet normalizimi.

“Nuk po shohim implementim nga asnjë prej palëve në marrëveshje, është diçka që zoti Escobar ka qenë i përqendruar. Kam folur edhe me Borrellin, edhe BE-ja është e përqendruar në këtë, për këtë arsye jemi angazhuar me diplomaci intenzive në mënyrë që të dy palët t’i përmbushin zotimet e marrëveshjes”.

“Ne këtë marrëveshje e konsiderojmë ligjërisht të obligueshme”.

Tutje, sekretari Chollet tha se do t’i qëndrojnë besnik Kosovës edhe pas zbatimit të marrëveshjes.

“Ne jemi angazhuar dhe ua kemi bërë të qartë miqve kosovarë që do të angazhohemi me ta edhe më tej nëse kjo marrëveshje e normalizimit implementohet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *