Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka nisur me formimin e kabinetit të tij në Komunë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes postimeve në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Atiq ka bërë me dije se ka emëruar katër drejtorë në kabinet, ku deri më tani janë dy gra dhe dy burra.
Anesa Çollakoviq është emëruar drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vid Janiçijeviq ka marrë pozitën e drejtorit të Arsimit, Shenaj Llapashtica do të udhëheq me Drejtorinë për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi, ndërsa Jeton Rrahmani u vu në krye të Drejtorisë për Komunitete Lokale dhe Kthim.
Atiq u betua si kryetar i Mitrovicës së Veriut më 19 maj me ceremoni e procedurë të shkurtër, ndërsa Serbia ka paralajmëruar pasoja pas këtyre veprimeve. Është hera e parë që kjo komunë udhëhiqet nga një shqiptar.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga serbët.
Në tre komunat e tjera veriore ku fituan kandidatët shqiptarë, betimi i tyre pritet të bëhet të enjten.