I dërguari i Qeverisë Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e nisi javën e punës me një vizitë në Kosovë, ku u takua me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Në fund të vizitës dhe pak para se të nisej për në Beograd, ku sot pritet të takohet me zyrtarë serbë, Sarrazin ka folur për marrëveshjen për të cilën kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb u dakorduan muajin e kaluar në Ohër dhe zbatimin e saj.
Ai thotë se kjo marrëveshje paraqet një shans të rëndësishëm për të gjithë rajonin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, zbatimi është çelësi për ta bërë këtë një “histori vërtet të madhe suksesi”, shprehet ai.
“Shumë njerëz në rajon do të thonë se unë jam një idiot sepse besoj në lëvizjet pozitive, por si pjesë e procesit të Berlinit, ne kemi treguar se është e mundur të arrihen marrëveshje pozitive nëse mendoni pozitivisht, dhe unë mendoj se Ohri mundet të jetë një pikë kthese për ta kthyer situatën në rajon nga minus në plus”, tha Sarrazin.
Gjermania, shton ai, më së shumti u përpoq të ndihmonte për të arritur një marrëveshje në Ohër, por gjithashtu, pranon ai, “ushtronte presion të fortë mbi të dyja palët për të rënë dakord”.
Edhe pse refuzoi të flasë më hollësisht për kuptimin e termit “vetëmenaxhim për serbët”, i cili përmendet në nenin shtatë të marrëveshjes themelore, Sarrazin thekson se tashmë është e qartë se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të përmbushen.
Megjithatë, ai beson se Prishtina ka pranuar ta përmbushë këtë obligim dhe pret ta tregojë. Sarrazin thotë se nga takimet që ka pasur në Kosovë, e kanë bërë të kuptojë se Kosova tashmë e ka “gëlltitur” temën e Asociacionit.
“Përshtypja ime është se kjo, për palën kosovare, tema shumë e vështirë e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe tashmë është gëlltitur. Si Gjermania, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të qartë për faktin se presim që Kosova ta përmbushë këtë dhe përshtypja ime është se kjo tani është pranuar edhe në Prishtinë. Ndoshta e kam gabim, por kjo është përshtypja nga takimet e mia në Prishtinë – se ata bënë një hap përpara. Dhe presim që ata ta tregojnë në terren në ditët dhe javët në vijim”, tha Sarrazin në një intervistë për Kossev