“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pasë njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor, apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria.”
Ndoshta edhe keni harruar, por kështu kishte thënë kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së mandatit të dytë si kryeministër, që sot po e mbush plot një vjet punë, ose mospunë, si të doni. Kryeministri i Kosovës kishte premtuar se në qeverisjen e tij do të ketë një qasje të re e cila nuk do të rrasej në punësimet partiake e familjare si në të kaluarën.
Mirëpo këto premtime dalin të pambajtura nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti.
Punësimet e familjarëve janë duke vazhduar në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Së fundmi, në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ”Prishtina” janë punësuar bashkëshortët, Fitim e Ajsere Sylejmani, janë nga fshati Konjuh i Komunës së Lipjanit, ku asamblistë është vëllai i drejtorit të KUR Prishtina, Fatmir Fetahu.
Fitim Sylejmani është punësuar si shofer në KUR Prishtina, ndërkaq bashkëshortja e tij, Ajsere Sylejmani është punësuar në qendrën e thirrjeve, po në këtë ndërmarrje.
Nga 17 persona sa aplikuan gjithsej për pozitën e shoferit të kategorisë C në KUR Prishtina janë pranuar vetëm dy persona. Fitim Sylejmani dhe Berat Bulliqi.
Ndërkaq, listë shumë më e gjatë ishte për pozitën “Zyrtare në qendrën e thirrjeve”. Ndonëse lista ishte e gjatë, për këtë pozitë janë pranuar vetëm dy persona. Metij Seferi dhe Ajsere Sylejmani, gruaja e Fitim Sylejmanit, të punësuarit si shofer në të njëjtën ndërmarrje.