Ekonomia vendëse ka marrë një goditje të madhe për shkak të ndaljes së investimeve kapitale. Sipas një raporti të Institutit GAP, thuhet se Qeveria e Kosovës performon dobët sa i përket realizimit të investimeve kapitale.
E në lidhje me këtë, EO ka pyetur kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahinin dhe ish-ministrin e Financave, Haki Shatri.
Shatri e Shahini thonë se Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet zhvillimin ekonomik.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se Qeveria Kurti nuk ka treguar përkushtim në tejkalimin e krizës ekonomike. Sipas tij, Qeveria nuk po e respekton Ligjin për Buxhetin, pasi thotë se investimet kanë rënë shumë.
“Kjo Qeveri në aspekt të zhvillimit ekonomik, nuk ka treguar asnjë përkushtim dhe nuk ka marrë asnjë veprim për ta tejkaluar këto dhe me nxit zhvillimin ekonomik. Në anën tjetër i ka marrë disa veprime nga mjetet që i ka marrë nga qytetarët, duke i kthyer në forma të ndihmave dhe me këtë formë po mendojnë se e kanë larë ‘borxhin’ ndaj qytetarëve. Ato janë mjete të qytetarëve që u kanë marrë në formë të TVSh-së dhe taksave të ndryshme”, u shpreh Shatri, teksa thotë se ekzekutivi e ka lënë anash zhvillimin ekonomik, duke u marrë me fusha tjera.
“Ligji për buxhetin nuk po respektohet nga Qeveria. Vetë e aprovon, e propozon dhe e përgatit dhe nuk i realizon vetë. Për të qenë më konkret dhe për të treguar përse jam i shqetësuar me veprimet e kësaj qeverie që e ka lënë anash zhvillimin ekonomik. Për sferën e ekonomisë në vitin 2020, janë shpenzuar 20 për qind të buxhetit në të gjitha fushat, pra mjetet që kanë shkuar në zhvillim ekonomik. Menjëherë në vitin 2021, kjo shumë ka rënë në 15 për qind dhe ka vazhduar në vitin 2022 në 15 për qind. Pra të gjitha sferat tjera janë mbështetur e zhvillimi ekonomik është lënë anash”, u shpreh tutje Shatri.
Kritika në ulje të investimeve kapitale ka edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Ai thotë se mbajtja e këtyre mjeteve të dedikuara për investime kapitale, e dëmton zhvillimin ekonomik.
Investimet kapitale, Shahini i ndërlidh me gjendjen ekonomike, pasi thotë se me këtë kompanitë do të përformonin më mirë.
“Realisht mbetjet e rezervave të parave të pashfrytëzuara që janë rreth 760 milionë euro tregon se investimet kapitale kanë ngecur dhe kjo është tepër e dëmshme për zhvillimin ekonomik, për arsye se kur nuk ka investime kapitale, vjen pikërisht edhe rënia ekonomike dhe na është lidhur kjo, nga 2021 në 2022, ku kemi një rënie drastike nga 10. 7 për qind në 3, në mungesë të investimeve kapitale dhe në mungesë të investimeve të huaja. Sepse rritja që ka ndodhur i dedikohet konsumit dhe eksporteve. Sikur ne të kishim investime më shumë, me siguri që gjendja ekonomike e qytetarëve dhe bizneseve do të ishte shumë më mirë”.
E si pasojë e mosfutjes në qarkullim të mbi 700 milionë euro, Shahini thotë se Kosova i ka humbur rreth 1 miliard euro.
“Është ndalë investimi, e në anën tjetër është rrit zhvleftësimi i parasë dhe një para që mbetet e pashfrytëzuar, ajo është e dëmshme dhe i sjellë gjithmonë shtetit rrezik. Duke u nisur edhe nga një fakt që në vitin e kaluar ne i kemi humbur 118 milionë euro të Trustit Pensional, në mungesë të Bordit, po ashtu sot kemi Bankën Botërore pa guvernator që aty duhet të merren vendime të shpejta. Mjetet që buxheti i Kosovës i ka, duhet që sa më shpejt t’i fusë në funksion, sepse me hyrjen e këtyre mjeteve në funksion, Kosova mund që nga 700 milionë euro që janë rezervë, Kosova mund të përfitojë 1 miliard në qarkullim. Rreth 1 mijë kompani do të mund të merrnin punë publike, të cilat janë ndalë të gjitha punimet në rrugët nacionale”, thotë Shahini.