Ndër rastet më të tmerrshme të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve janë ato që ndodhin brenda familjes. Ngjarje të tilla e mjaft të trishta kanë ndodhur jo rrallëherë në familjet kosovare, ku janë përfshirë baballarët, vëllezërit, e anëtarë të tjerë të familjes.
Kështu po dyshohet se ka ndodhur që një kohë edhe në një familje në Skenderaj, ku një prind ka përfunduar në Polici, pasi u denoncua nga e bija e tij.
Sinjali raporton se vajza e moshës 11-vjeçare, e ka raportuar babanë në Polici, duke e akuzuar se po e ngacmon seksualisht për muaj të tërë.
Bazuar në dëshminë e viktimës, vajza ka deklaruar para hetuesve policorë se babai i saj që disa muaj, në momentet kur ka qenë afër saj, e ka prekur nëpër trupin e saj.
Gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e tyre, ku dyshohet se kanë ndodhur këto raste, për të cilat akoma nuk dihen të gjitha rrethanat.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë, me ç’rast është përballur me denoncimin nga vajza e tij e mitur.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për ndriçimin e rastit në plotni.