Edhe LDK-ja sot e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot do ta dërgon në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili është miratuar javën e kaluar.

Një burim brenda kësaj partie i ka thënë gazetës Nacionale se dorëzimi i kërkesës nuk do të bëhet bashkë me PDK-së, e cila po ashtu këtë ligj sot do ta dërgon në Kushtetuese.

“Po, LDK-ja sot do ta dërgon për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. LDK-ja është e bindur se ky ligj është antikushtetues”, ka thënë burimi.

I njëjti burim nuk ka treguar kohen se kur ky ligj do të dërgohet në Kushtetuese.
erë
Javën e kaluar, kur ky ligj është miratuar në Kuvend, deputetët e LDK-së kanë qenë mjaft kritik.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kishte thënë se ky ligj është antikushtetuese

Sipas saj, ligji është miratuar për interesa të ngushta të Qeverisë.

“Vendimet e Këshillit për ankimim nuk do të jenë definitive, nuk zbatohen. Vendimet e Këshillit nuk vlejnë për pozita të larta. Kjo s’po bëhet për shërbimin civil, kjo po bëhet për qeverinë. Qeverisë i konvenon t’i lodhë vërdallë shërbyesit civilë lart e poshtë. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar që natyra e vendimeve të Këshillit ka karakter ekzekutiv, pa asnjë kufizim. Kjo që keni sjellur është kufizim”, është shprehur deputetja e LDK-së, duke paralajmëruar dërgimin e ligjit në Kushtetuese. “Pse po e bëni këtë? Kërkoni masë të përkohshme dhe kjo nuk e prek më pas rolin ekzekutiv të vendimit të Këshillit. Vetëm e keni përmendur zbraztirë ligjore, dhe asgjë tjetër nuk e keni definu. Jo-aksidentalisht nga 5 sekretarë U.D ndërrohen në ministrat e juaja. Kjo është e mangëta e ligjit. Ky është kundër-kushtetuese. Edhe këtë ligj e ankimojmë, e di që iu japim shkas për seriale. Serialin Vetëvendosja. Imagjinoni të ankoheni që kërkojmë kushtetutshmëri. Skenarin ua kemi mësuar, por është bërë bajat. Bajat bashkë me mjegullën që po e shitni për mirëqenien e sektorit publik”, ka deklaruar Kica-Xhelili.

PDK-ja konfirmon dërgimin e ligjit në Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se sot në ora 11:00 do ta dërgon ligjin në fjalë në Gjykatë Kushtetuese.

Avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu, dje i ka thënë gazetës Nacionale se PDK-ja do të kërkojë që propozimet jo kushtetuese në këtë ligj të anulohen.

Ai është shprehur i bindur se ligji në fjalë është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës.

“Siç e dini, javën që shkoi, shumica parlamentare e miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përmes të cilit ligj, përfundimisht për të dytën herë më radhë brenda dy viteve, institucionalizohet përpjekja jokushtetuese për kapjen dhe nënshtrimin e këtij institucioni të pavarur kushtetues. Ashtu siç e kontestuam dy vite më parë vendimin për shkarkimin e anëtarëve të këtij institucioni, edhe tani, mund të konfirmoj se do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të miratuar një javë më parë, në mënyrë që propozimet jo kushtetuese të tij, të anulohen”, ka thënë Fetahu.

Më tej, ai ka përmendur nenet problematike të ligjit në fjalë.

Sipas tij, heqja e imunitetit të anëtarëve të këtij institucioni, dyfishimi i numrit të anëtareve dhe disa çështje tjera janë jokushtetuese.

“Nuk mund të qëndrojmë indiferent përballë qasjes abuzive dhe autoritare të këtij pushteti, që vendosi tua heq imunitetin anëtarëve të këtij institucioni, të dyfishoj numrin e anëtarëve të tij më qëllim kapjen dhe nënshkrimin me qëllim që të legjitimoj emërimet dhe shkarkimet e paligjshme në administrate, si dhe të heq nga përgjegjësia e kontrollit ligjor të këtij institucioni, pozitat e nivelit të lartë drejtues, me qëllim që emërimet dhe shkarkimet e pozitave më të larta në administratën shtetërore të mos mund të ankimohen fare në këtë institucion kuazi-gjyqësor, i cili sipas kushtetutës, ka përgjegjësi ekskluzive edhe në çështjen e vlerësimeve të ligjshmërisë së procedurave të tilla të larta të adminstratës shtetërore”, ka thënë Fetahu, duke përmendur edhe çështje tjera problematike të ligjit.

“Ky ligj, përmban edhe defekte e shkelje të tjera kushtetuese të cilat do t`i ngrejmë para gjykatës dhe besojmë që të njëjtat të marrin vlerësimin meritor dhe përfundimisht ky ligj, si shumë ligje të tjera, të shpallet jokushtetues dhe të anulohet përfundimisht”, është shprehur Fetahu.

Kjo nuk është hera e parë që dy partitë opozitare dërgojnë ndaras në Kushtetuese të njëjtin ligj.

Këto dy parti kështu kishin vepruar edhe për Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Ndonëse kishin përdorur pothuajse argumente të njëjta, ligjin në Kushtetuese e kishin dërguar ndaras

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *