Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka bërë të ditur se dy minatorë të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi gjendja e tyre shëndetësore është keqësuar gjatë grevës të cilët ata po e mbajnë.
Dy minatorë kanë kërkuar sot ndihmë mjekësorë pasi gjendja e tyre shëndetësore është keqësuar gjatë grevës që ata po e mbajnë.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, i cili tha se të dy minatorët është dashur të barten me autoambulancë.
“Sot janë dy raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë transportuar me autoambulancë për në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, por njëri ka këmbëngulur dhe i është kthyer grevës”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Jonuzi tha se gjendja e minatorëve që po mbajnë grevë është jashtëzakonisht e rëndë, teksa shtoi se nga menaxhmenti s’kanë pasur asnjë kontakt.
“Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë. Për ne si minatorë janë pamje të tmerrshme. S’kemi kontaktuar me menaxhmentin, me asnjë institucion në këto rrethana s’kemi kontakte”, tha Jonuzi.
Kujtojmë se minatorët kanë hyrë në grevë, ku po kërkojnë realizimin e pagës mujore, shkarkimin e kryeshefit dhe sigurime shëndetësore e kushte të punës.