Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje mes qytetarëve, të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton Gazeta Sinjali.
E një rast i ngjashëm ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:20 në Vushtrri, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një 31-vjeçar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në qytet, ku përballë një mobi shopi po qëndronte 31-vjeçari, i cili kishte vërejtur se dikush po e thërret nga mbrapa. Pasi ai u përgjigj, dy persona dyshohet se e kanë futur atë në një dyqan, ku kanë nisur ta sulmojnë duke e goditur me boksa të hekurit.
Për shkak të lëndimeve të rënda trupore që mori, 31-vjeçari është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë. Burimet brenda Emergjencës bëjnë të ditur se viktima ka pësuar thyerje në hundë dhe ka plagë të rënda në kokë.
Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim njërin nga të dyshuarit, ndërsa tjetri është arratisur menjëherë nga vendi i ngjarjes,
Me vendim të prokurorit ndaj 24-vjeçarit të dyshuar është iniciuar rasti për veprën ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa janë marrë veprimet e nevojshme hetimore për të identifikuar personin tjetër të dyshuar.