Marrëdhëniet seksuale brenda familjes janë vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që kryen akt seksual me paraardhës ose pasardhës të familjes, motra apo vëllezër, nipa apo mbesa dënohet me burgim.
Një dënim i tillë siç duket e pret edhe një 29-vjeçar nga Peja , i cili është arrestuar të premten, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë dhënë detaje në lidhje me këtë rast, që ka të bëjë me një 16-vjeçare e cila e ka denoncuar dajën e vet, tashmë të arrestuar.
Sinjali mëson se vajza ka raportuar në Polici se daja i saj N.P., e kishte marrë para dy ditësh me zor në veturë dhe e ishin nisur në drejtim të një lokacioni të panjohur për të, ku sipas informacioneve të para, i dyshuari kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.
Një denoncim i tillë aktivizoi Policinë e Prokurorinë, me ç’rast i dyshuari u ftua për t’u përballur me raportimin kundër tij.
Gjatë intervistimit, Sinjali mëson se i dyshuari fillimisht e ka mohuar se e ka mbesë viktimën, por ka deklaruar se është në lidhje dashurie me të që rreth 1 vit. Madje, bazuar në dëshminë e tij, ai ka thënë se me vajzën kanë planifikuar edhe martesë.
Burimet thonë se pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe nisjen e hetimeve për të zbardhur në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Kujtojmë se për një rast të tillë tronditës që ka ndodhur në Obiliq, para disa ditësh është arrestuar një person, që dyshohet se ka kryer seks me motrën e tij.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kur prindi, prindi adoptues, prindi birësues, njerku ose njerka, gjyshi apo gjyshja, daja apo axha, tezja ose halla, kryen akt seksual me fëmijën e tij, me fëmijën e birësuar, me thjeshtrin e tij, me nipin ose me mbesën e vajzës apo të djalit, me nipin ose me mbesën e motrave apo të vëllezërve, që është në mes të moshës katërmbëdhjetë (14) dhe gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.”