Një rast skandaloz u raportua se ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku një foshnjë e vdekur është futur në lavatriçe së bashku me çarçafë.
Lajmin për Gazetë10 e konfirmoi zëdhënësi Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi i cili tha se rasti i njëjtë ka ndodhur javën e kaluar.
Ai po ashtu, ka konfirmuar se prokurori i rastit tashmë ka marrë dëshmin edhe të prindit të foshnjës së vdekur, shkruan Gazeta10.
“Kanë filluar hetimet lidhur me rastin e dyshuar në Spitalin e Pejës. Ky rast ka ndodhur javën e kaluar. Ne si Prokurori jemi duke i vazhduar hetimet, si dhe jemi në pritje të raporteve nga Inspektorati Shëndetësor. Po ashtu, mund të konfirmoj se kryeprokurori i rastit është takuar edhe me prindin e foshnjës së vdekur”, tha Nikçi për Gazetën10.
Indeksonline raportoi sonte se pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në lavatriçën e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur. E njëjta u nxor copa-copa nga lavatriçja.
Babai i foshnjës mes lotësh tregoi se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjen e tij.
Baba i foshnjës thotë se dyshimet nga ana e tij lindën sapo pa që Spitali refuzoi ta lirojë trupin e pajetë të foshnjës. Çdo gjë pas këtij momenti, ka thelluar tragjedinë.
Babai nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjet për të marrë vesh të vërtetën rreth foshnjës së tij të vdekur. Por, e vërteta që mori ishte përtej asaj që ai kishte imagjinuar ndonjëherë. Ai me sytë e tij pa copëzat e mbetura nga trupi i pajetë i foshnjës së tij, pasi mes çarçafësh u nxor nga lavatriçja e Spitalit.