E tërë bota reagon për vdekjen e legjendës, Pele

Legjenda e futbollit brazilian, Pele, ka vdekur në moshën 82-vjeçare. Shumë yje të ndryshëm të futbollit kanë reaguar, duke përkujtuar një legjendë sikur Pele

Reagimet u përhapën nga e gjithë bota për vdekjen e legjendës braziliane të futbollit, Pele.

Ai vdiq nga kanceri, në Brazil, në moshën 82-vjeçare.

“Një lamtumirë e thjeshtë për Mbretin e përjetshëm, Pelé, nuk do të mjaftojë kurrë për të shprehur dhimbjen që godet të gjithë botën e futbollit në këtë moment. Një frymëzim për kaq shumë miliona, një referencë e së djeshmes, sot, gjithmonë. Dashuria që ai ka treguar gjithmonë për mua ishte e ndërsjellë në çdo moment që ndamë, qoftë edhe në distancë. Ai nuk do të harrohet kurrë dhe kujtimi i tij do të zgjasë përgjithmonë në secilin prej nesh adhuruesve të futbollit. U prehsh në paqe mbreti Pelé”, e ka përkujtuar Cristiano Ronaldo, ylli portugez i futbollit.

“Vendi juaj është në anën e Zotit. Mbreti im i përjetshëm. Pusho në paqe”, ka shkruar fituesi i Kupës së Botës 1970, Roberto Rivellino dhe shoku i skuadrës së Pele në kombëtaren braziliane.

“Përpara Pelé, ’10’ ishte vetëm një numër. E kam lexuar diku në një moment të jetës sime. Por kjo linjë e bukur, është e paplotë. Unë do të thoja se më parë, futbolli Pele ishte vetëm një sport. Pelé ndryshoi gjithçka. Ai e shndërroi futbollin në art, argëtim. Ai u dha zë të varfërve, zezakëve dhe mbi të gjitha i dha shikueshmëri Brazilit. Futbolli dhe Brazili ngritën pozitën e tyre falë Mbretit! Ai është larguar, por magjia e tij do të qëndrojë. Pelé është i përjetshëm”, ka thënë ylli brazilian i futbollit, Neymar.

“Me vdekjen e Peles, futbolli ka humbur një nga legjendat e tij më të mëdha, nëse jo më të madhin. Si të gjitha legjendat, Mbreti dukej i pavdekshëm. Ai i bëri njerëzit të ëndërrojnë dhe vazhdoi ta bënte këtë me brezat dhe brezat e adhuruesve të sportit tonë. Kush, si fëmijë, nuk ëndërronte të ishte Pelé? …. Mbreti do të mbetet Mbret, përgjithmonë”, ka shkruar, Didier Deschamps, ish-lojtar dhe menaxher i kombëtares franceze.

“Lamtumirë mbretit. Mjeshtri i lojës së bukur”, ka shkruar klubi i futbollit Chelsea.

“Manchester City është i pikëlluar kur mësoi për ndarjen nga jeta të legjendës braziliane Pelé, një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave që bëri kaq shumë për lojën e bukur. U prehtë në paqe”, ka shkraur klubi i futbollit, Manchester City.

“Faleminderit për gëzimin që u sollët tifozëve të futbollit në mbarë botën,” – ka shkruar klubi i futbollit, Manchester United.

“Mbreti i futbollit është larguar nga ne, por trashëgimia e tij nuk do të harrohet kurrë”, ka shkruar ylli francez, Kylian Mbappe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *