Dikur nga e famshme u bë e pjesë e portaleve për shkak të një videoje intime; tashmë kanë kaluar mbi 10 vite nga ajo histori e bujshme por edhe e trishtë për atë.
Në një intervistë ekskluzive nga Londra, Juliana Nura rrëfen për revistën BORDO jetën e saj, sesi ndryshoi nga maja e suksesit në modeling, në vetëzhdukje nga jeta sociale. Sot ajo s’ka frikë dhe droje të rrëfejë çfarë i ndodhi vite më parë.
Teksa u pyet se si planet e saj ndryshuan 360 gradë, ajo rrëfen se viti 2010 ishte shumë i vështirë për të, pasi me të ndodhi ajo që askush nuk do të dëshironte. Ishte vajza/gruaja e parë që u shantazhua me një videointime për përfitime personale. Por edhe pse Juliana Nura pagoi që ato video mos të publikoheshin, ndodhi e kundërta
“Në një vend si Shqipëria e Kosova dhe kultura e atyre kohërave një gjë e tillë ishte jo e pranueshme dhe shumë e gjykueshme. U ndjeva si të ishte fundi i botës për mua, sepse u bëra viktimë në një vend ku akoma viktimën e përqeshin. Vendosa të ikja nga syri i publikut të shëroja veten dhe të rindërtoja një grua të pandalshme psiqikisht, emocionalisht dhe fizikisht”, rrëfeu Nura.
Më tej Juliana tregoi se kjo traumë që ajo kaloi filloi ta inspironte për t’u ardhur në ndihmë vajzave të tjera që janë përballur qoftë me abuzimin seksual, mendor, përdhunimin apo humbjen e njerëzve të shtrenjtë.
“U inspirova t’i ndihmoja gratë e tjera që kanë kaluar trauma të ngjashme, qoftë ajo e abuzimit seksual, mendor, përdhunimin ose humbjen e njerëzve. Kjo ngjarje më bëri shumë të fortë, duke u kthyer në një shembull për shumë gra të cilat duhet të ngrihen dhe të kalojnë ngjarje të tilla. Kështu lindi programi ‘’Body, Mind and Soul’’, rrëfeu Juliana Nura për Bordo.