Një foshnje 4 muajshe është gjetur para tre ditësh në shtëpinë e saj në Serbobran të Istogut.
Menjëherë është lajmëruar policia për rastin dhe nga mjeku kujdestar është konstatuar se foshnja është dërguar në spital pa shenja jete.
Skandaloz dhe befasues ka qenë fakti se Policia dhe Prokurori i rastit nuk kanë kërkuar fare autopsi për foshnjen e vdekur, ani pse ajo nuk ka patur asnjë problem shëndetësor, apo arsye që lidhet me vdekjen e saj.
Të nesërmen është vendosur varrimi i saj duke mbetur në mëshirën e fatit arsyeja e vdekjes së foshnjës 4 muajshe.
Por, ka shumë arsye që çojnë tek dyshimet se vdekja e foshnjës mund të mos ketë qenë e natyrshme.
Çifti që ishin prindër të foshnjës po përballeshin kohëve të fundit me probleme të natyrave të ndryshme familjare.
Prindërit e foshnjës 4 muajshe janë të njohur si përdorues të drogave të forta. Diamanta Dukellaj dhe Besnik Kabashi kanë shumë raste të hapura në Polici për posedim, blerje e shitje të narkotikëve.
Shaha Gashi, nëna e Diamantës pak ditë më parë braktisi shtëpinë e vajzës së saj për shkak të dhunës së shkaktuar nga vajza e saj, e që dyshohet se është shkaktuar nga përdorimi i substancave narkotike.
Burime të afërta me çiftin thonë se Diamanta e Besniku ishin ndarë ditët e fundit, gjë e cila mund të kishte qenë mollë sherri për fatin e foshnjës që u gjet pa shenja jete tre ditë më parë.
Në momentin kritik kur foshnja është gjetur pa shenja jete, në shtëpi ka qenë vetëm nëna (Diamanta), ndërsa pasi është njoftuar Policia, në shtëpinë tragjike ka ardhur edhe Besnik Kabashi, babai i foshnjës së vdekur.
Indeksonline ka pyetur Policinë për rastin në fjalë, por që nuk ka marrë asnjë përgjigje se pse nuk është bërë autopsia. Të heshtur dhe pa fjalë ka mbetur edhe Prokuroria e Pejës që nuk ka kthyer asnjë përgjigje për rastin në fjalë.
Prindërit e foshnjës së vdekur, të dy me precedentë penal kanë njoftuar rastin mortor edhe në rrjetet sociale. Bërja e autopsisë në raste të tilla është e obliguar edhe me ligj, por që Policët dhe Prokurori i rastit duket se kanë besuar se foshnja e pafajshme ka patur vetëm 4 muaj “exhel”.