Çdo ditë e më shumë po raportohen raste të dhunës në familje, ku shpeshherë viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre. Një rast i rëndë është raportuar sot rreth orës 11:00 në Dobrosh të Gjakovës, ku një 37-vjeçar ka rrahur nënën e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje që 63-vjeçarja kishte me djalin e saj, i cili vazhdimisht i kishte shkaktuar telashe.
Sipas deklaratës së viktimës, i riu e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me mjet të fortë në kokë, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime. Për pasojë, ajo ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që është njoftuar edhe Policia.
Me të marrë informacionin, njësitet policore janë vënë në lëvizje dhe kanë arritur që ta arrestojnë 37-vjeçarin e dyshuar, i cili më pas është intervistuar dhe është përballur me pretendimet e nënës së tij për dhunën e shkaktuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.