Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 14 për qind nga 1 prilli, ka ngjallur pakënaqësi tek të gjithë qytetarët.
Kjo ka ndikuar jo mirë edhe te qytetarët e Malishevës, të cilët shprehen për Neutral se rritja e çmimit të energjisë elektrike ndikon negativisht në buxhetin e tyre familjar.
Jo mirë, sepse me këto kushte dhe me këto të ardhura që i ka Kosova vështirë se do ia dalin qytetarët. Më së shumti dëmtohen qytetarët e thjeshtë… Duhet t’i ndihmojnë qytetarët me subvencione dhe me diçka në këtë kohë të dimrit dhe jo me këto rritje të çmimeve, edhe të rrymës… Në krahasim me të ardhura dhe me standardet të Kosovës kjo është e tepërt”, është shprehur Murati për Neutral.
“Nuk mundemi t’i përballojmë faturat pasi që nuk kemi kushte. Me një rrogë duhet edhe fëmijët me i shkollu edhe më ngrënë bukë. Faktikisht shtrenjtë është rryma, edhe me u na shtrenjtu më shumë, nuk di si do ta përballojmë deri në 2024-tën”, është shprehur Sokoli për Neutral.
Po ashtu, edhe Berat Mazreku u shpreh se shtrenjtimi i energjisë elektrike është një gjë shumë e rëndë për popullin.
Për ekonomitë familjare, ku pas syresh kanë një jetë mesatare e shumica prej tyre janë të varfra, sipas Mazrekut vështirë është të përballohet ky shtrenjtim.
Sipas qytetarit Kadri Kryeziu, e vetmja zgjidhje për ta mbetet kursimi, porse siç thotë ai, është Qeveria që duhet të jetë pranë tyre.
E në rast të shtrenjtimit të rrymës siç është paralajmëruar, ai thotë se Qeveria duhet të mbulojë koston shtesë prej 14 për qind.