Mbrëmë vonë, gazetari dhe analisti, Valon Syla është sulmuar nga tre persona. Për pasojë, Syla ka pësuar lëndime të lehta në kokë.
Në media është publikuar një video ku Syla flet pas intervenimit që kishte në QKUK.
“Disa islamikë fanatik më kanë sulmuar shpejt e shpejt ka ndodh dhe kanë ik”, ka thënë Syla
Edhe sipas dëshmitarëve të pranishëm, në momentin e sulmit kanë qenë tre persona që kanë ikur me shpejtësi ndërsa ngjarja ka ndodhur në Breg të Diellit.
Syla, i cili ishte pjesë e emisionit Pressing në një debat që lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.
Tre persona e kanë përcjell Sylën deri te Bregu i Diellit e më pas e kanë sulmuar.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për shtyp në orët e vona ku ka dënuar ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
AGK ka kërkuar hetime urgjente për këtë rast.
“Gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë”, thuhet fillimisht në këtë deklaratë të AGK-së.
“Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.
“Rasti është hapur në Policinë e Kosovës.
“Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.
“AGK-ja, u bënë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë”, thuhet në këtë komunikatë.
Reagime kishte edhe nga politikanë të Kosovës të cilët kanë dënuar ashpër sulmin.
Kujtojmë se gazetari Valon Syla ishte sulmuar edhe njëherë tjetër, pas etiketimit që ua bëri mërgimtarëve.