E konfirmon Stano: Bislimi dhe Petkoviq do të flasin për marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit si dhe për energjinë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se nesër në Bruksel, në vazhdim të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të diskutohet në nivel teknik për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

“Të dyja palët i kanë përmbushur vetëm pjesërisht detyrimet e tyre në lidhje me Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike. Ka ende për të bërë dhe kjo do të diskutohet në takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve”, tha Stano.

Nesër negociatorët kryesorë Besnik Bisljimi dhe Petar Petkoviq do të diskutojnë edhe për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, përfshirë krijimin e Komisionit të Përbashkët.

Stano tha se Harta e Zbatimit të Marrëveshjes Energjetike nuk ishte temë në negociatat që çuan në marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe Ohër.

“Megjithatë, është pjesë e marrëveshjeve të mëparshme në dialog dhe për këtë arsye është e detyrueshme. Me marrëveshjen e re palët u angazhuan që të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e mëparshme nga dialogu”, tha Stano për RTV21.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia në qershor të vitit të kaluar arritën marrëveshje për energjinë në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Përmes kësaj marrëveshje, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe të paguajnë faturat e energjisë elektrike të shpenzuar, fatura që ata nuk i paguajë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. 

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, kishte thënë pas arritjes së pajtimit se “Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”.

“Për normalizimin e plotë të faturimit të energjisë në veri janë parashikuar 90-100 ditë”, tha ai. Sipas marrëveshjes parashikohet që Zyra e Rregullatorit për Energjinë e Kosovës (ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës. Elektrosever është kompani me pronësi serbe, e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjeve të Kosovës.

Kurse kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, kishte thënë se Prishtina ka refuzuar të flasë për energjetikën dhe se Beogradi e ka “detyruar” atë jo vetëm të flasë, por edhe të pajtohet për këtë çështje. 

Udhërrëfyesi përfshin sipas tij një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *