E konfirmon Lajçak: Më 2 maj në takimin Kurti-Vuçiq fillon procesi i krijimit të Asociacionit

Procesi i krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të fillojë më 2 maj, kur edhe pritet të mbahet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kjo është konfirmuar së fundi në një intervistë nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Çka tjetër tha ai?

Kosova dhe Serbia do ta zhvillojnë takimin e radhës të nivelit të lartë më dy maj në Bruksel, tashmë në atë që po konsiderohet si “lojë” tjetër.

Detajet e fundit rreth takimit mes dy liderëve i ka dhënë emisari Lajçak në një intervistë për mediumin sllovak “Dennik N”.

Çka pas takimit të Ohrit?

“Qëllimi kryesor i takimit në Ohër ishte arritja e marrëveshjes për zbatimin. Ky proces kulmoi dhe sot jemi në një lojë tjetër. Dialogu ka arritur një nivel më të lartë.” – deklaroi fillimisht diplomati sllovak.

Ai e ka bërë të ditur se është i kënaqur me rezultatet deri më tani, megjithëse, njoftoi se fillimisht kanë bërë përpjekje që të biejnë dakord për një “aneks më ambicioz”.

“Nga këndvështrimi që sapo fola, jam i kënaqur. Megjithatë, nuk do ta fsheh faktin se fillimisht u përpoqëm të biem dakord për një aneks më ambicioz të zbatimit, i cili do të ishte më i detajuar dhe më i lehtë për t’u kontrolluar. Megjithatë, të gjitha parimet kryesore janë në dokumentin e rënë dakord.” – ka thënë ai.

Çka më 2 maj?

Emisari Mirsolav Lajçak theksoi se në takimin e radhës do të flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje kjo që në vazhdimësi i është kërkuar Kosovës që ta zbatojë.

Ai ka njoftuar se në agjendën e takimit të dy majit, do të jetë “fillimi i procesit të krijimit të Asociacionit”.

“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm.” – u shpreh emisari evropian.

Jo rrallë herë Lajçak ishte akuzuar nga politikanë të ndryshëm në Kosovës për njënashmëri në pozitën që mban, kjo për shkak se shteti nga ai vjen, Sllovakia, s’e njeh vendin tonë si të pavarur.

Dhe…njëra prej pyetjeve që iu shtrua në këtë intervistë Lajçakut, ishte kjo: “A mendoni se kombësia juaj ka luajtur ndonjë rol në këtë proces?”

“JO” – ishte përgjigja e Lajçakut, i cili tha se përvojat e tij janë ato që luajn rol në këtë proces.

Vetë ai madje, e ka përmendur se çështja e kombësisë u ngrit që kur mori pozicionin që mban aktualisht, por Lajçak vijoi t’i përmendet vizitat e takimet e shumta me akterë në rajon, duke thënë se ka pasur “qindra orë negociata”.

“Jo kombësia ime, por përvojat e mia, veçanërisht me Ballkanin, luajnë një rol në këtë proces. Kur u emërova në pozicionin tim aktual në mars 2020, çështja e kombësisë u ngrit aty-këtu. Megjithatë, nëse përfaqësoni Bashkimin Evropian, ju përfaqësoni Bashkimin Evropian dhe jo një vend të caktuar anëtar. Dhe së dyti, jam tashmë në vitin e katërt të mandatit tim dhe kam dhjetëra vizita në rajon dhe qindra orë negociata me akterë, ndaj mendoj se sot nuk ka dyshim se synimi im është të jem një ndërmjetës i ndershëm që përpiqet t’i ndihmojë ata të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.” – u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *