Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot që nga 240 njerëz të angazhuar për Serbinë në OKB, rreth 110 janë shqiptarë. Ai përsëriti edhe deklaratat për kombin shqiptar.
Sipas tij, këta shqiptarë janë në OKB si qytetarë të Serbisë dhe se deklarojnë që janë nga Serbia “vetëm kur iu duhet”.
Daçiq shtoi tutje duke thënë që shqiptarët e kanë shtetin e tyre, Shqipërinë dhe se pavarësia kërkohet vetëm kur një komb nuk e ka shtetin e tij.
“Nëse Kosova mund ta kërkojë dhe ta marrë pavarësinë, pse Republika Srpska nuk mund ta bëjë të njëjtën gjë,” – pyeti retorikisht Daçiq.
Ministri i jashtëm serb deklarata të ngjashme që thonin se Serbia dhe Shqipëria duhej të merreshin vesh për Kosovën kishte bërë edhe në të kaluarën.
“Në rastin e Kosovës s’mund të flasim për të drejtën e vetëvendosjes, pasi në Kosovë nuk ekziston një komb kosovar. Në Kosovë jetojnë shqiptarët të cilët e kanë një shtet,” – kishte deklaruar Daçiq para disa vitesh.
Ai përsëriti sërish kërkesën për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe para zbatimit të çfarëdo marrëveshjeje tjetër.