Një mërgimtare nga Luksemburgu ka vdekur në një lokacion në Serbi, derisa ishte rrugës për në Kosovë me familjen e saj, të shtunën në mbrëmje. Rasti është denoncuar në pikën e kalimit kufitar në Merdar, me ç’rast Policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 83-vjeçare e cila ishte me familjarët e saj në veturë, kur dyshohet se ndërroi jetë, për shkaqe ende të panjohura.
Posa njësitë policore dhe emergjenca kanë intervenuar, është konstatuar vdekja e viktimës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është tërhequr trupi i pajetë, për t’u dërguar në IML për obduksion.
Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, teksa dy familjarët që ishin me të ndjerën kanë dhënë dëshmi para hetuesve policorë në lidhje me atë që ka ndodhur.