Pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, ekipet e shpëtimit po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar sa më shumë të mbijetuar nga rrënojat, por me kalimin e kohës, i ftohti ekstrem përbën një kërcënim vdekjeprurës për njerëzit e bllokuar. Ata janë në pritje të shpëtimit, ndërsa e gjithë bota është dëshmitare e skenave të tmerrshme dhe tronditëse.
Në qytetet turke dhe siriane dëgjohen klithma dhimbjeje, ndërsa forcat e ekipit shpresojnë që çdo person që do të nxjerrin të jetë i gjallë. Duke pasur parasysh që koha po ecën, për fat të keq gjasat janë duke u zvogëluar.
Në rrjetet sociale është publikuar video e një siriani, i cili humbi 12 anëtarë të familjes në një tërmet të tmerrshëm. Askush nuk qëndroi indiferent ndaj lotëve të këtij njeriu, si dhe ndaj të gjitha skenave të tjera tronditëse pas fatkeqësisë.