Policia e Kosovës ende s’ka arritur t’i kap dy të dyshuarit që i ka shpallur në kërkim për vrasjen e rëndë që ndodhi më 5 korrik në Lipjan, ku u vra një 22-vjeçar, i cili u qëllua me armë zjarri. Natën kritike, të dyshuarit Gazmend Selimi dhe Muhamet Gashi ikën nga vendi i ngjarjes dhe akoma s’kanë rënë në prangat e Policisë. Sinjali mëson ekskluzivisht se ata arritën të zhduken para syve të Policisë në fshatin Novosellë të Kamenicës, një ditë pas tragjedisë.
Kështu kanë bërë të ditur burime brenda Prokurorisë që njoftuan se dy të dyshuarit ndodheshin në një veturë që u ndalua nga Policia për kontroll. Verifikimi i shoferit të kësaj veture dhe kontrollimi i dokumentacionit të tij u bë ‘sebep’ që të dyshuarit Selimi e Gashi t’ia mbathnin.
Ngjarja dyshohet se ndodhi në orët e vona, derisa Policia po kontrollonte një person, që po voziste veturën ku ndodheshin pasagjerët e dyshuar për vrasjen e rëndë. Ata siç duket luajtën rolin shumë mirë në fillim, pasi nuk bënë asnjë lëvizje në momentin që patrulla dha urdhër që kjo veturë të ndalet. Të dyshuarit e shfrytëzuan kohën kur Policia po merrej me shoferin, morën atë veturë dhe u larguan nga vendi i ngjarjes, raporton Sinjali.
Burimet thonë se kjo veturë është gjetur e braktisur më pas afër Karaçevës, teksa të dyshuarit sërish po vazhdojnë ta shijojnë lirinë.
Lidhur me rastin, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për detajet e ngjarjes, teksa kërkimet për kapjen dhe ndalimin e të dyshuarve po vazhdojnë.