Duda Balje e shqetësuar për situatën në veri

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, pret që situata e tensionuar në Kosovë të vazhdojë deri në pranverë, kur ajo pret se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Bale në një intervistë për gazetën boshnjake “Dnevni Avaz”, ka thënë se tensionet në veri po e shqetësojnë, ndërsa ka thënë se komuniteti boshnjak është në mes të zjarreve.

Ajo ka përmendur “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë.

“Kam frikë, të them të drejtën. Në atë pjesë të diskutueshme të Mitrovicës është Lagjja e Boshnjakëve, ku jetojnë njerëzit tanë. Sado egoiste që mund të tingëllojë, besoni se së pari shqetësohem për ta, sepse jemi njerëzit që jemi mes dy zjarreve. Ne nuk jemi shqiptarë, nuk jemi serbë. U hodh një bombë, u dogj një veturë pikërisht në atë lagje boshnjake, që kurrë nuk ishte problematike dhe ku asgjë nuk ka filluar e as nuk do të përfundojë”, ka thënë Bale. “Asnjëra palë nuk mund të jetë fituese, edhe pse secila do të flasë se është fituese. Edhe ne, si Kosovë, edhe ata, duhet të bëjnë lëshime për të gjetur një rrugë të mesme. Pra, besoj tensionet do të zgjasin, shumë varet nga të huajt, situata është plotësisht e pasigurt, por jam e sigurt se do të gjendet një zgjidhje, pasi e gjithë kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht”.

“Si boshnjakë, ne tashmë kemi paguar çmimin e asaj trazire mes serbëve e shqiptarëve dhe nuk do të doja të përsëritej. Ne jemi pjesë e këtij vendi, çfarëdo që të ndodhë me të gjithë do të ndodhë edhe me ne, por tensionet dhe shqetësimet ekzistojnë. Jam optimiste se nuk do të shkojë në më të keqen, por është një gjë që mund të ndodhë”, tha Balje.

Ajo thotë se qytetarët e Kosovës janë mësuar tashmë me barrikada.

“Është një lojë nervash. Asnjëra palë nuk do që të dorëzohet, të gjithë përpiqen ta demonstrojnë forcën dhe kokëfortësinë që po na kushton. Bëhet fjalë për atë inat politik, se cili do të dalë lider më i madh nëse nuk i dorëzohet tjetrit”, tha tutje Balje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *