Një mërgimtar është drejtuar në Polici për t’u ankuar se vetura e tij, luksoze, e cila ishte me targa gjermane, ishte përfshirë nga zjarri në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit.
Sinjali mëson se ndonëse njësitet patrulluese së bashku me zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ata kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin, por jo ta shuajnë atë, pasi që vetura e tij e tipi ‘Audi A7’ veçse ishte bërë shkrumb e hi.
Si kryes të kësaj vepre penale, viktima dyshon se mund të jenë të përfshirë katër persona, pasi që me të njëjtit ka pasur probleme të mëhershme dhe kjo mund të ketë ndodhur si pasojë e hakmarrjes.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia me ndihmën e viktimës i ka identifikuar të dyshuarit, mirëpo të njëjtit ende nuk janë shoqëruar për në stacion policor.
Fatmirësisht, përveç dëmit material, i cili është rreth 20 mijë euro, nuk ka pasur persona të lënduar nga ky incident.
Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Prokurori, i cili ka cilësuar rastin si incident zjarri.