Drafti i ri për Asociacionin, Gërvalla: Dokumenti ka qasje krejt ndryshe nga të tjerët, do të kemi bisedime intensive me BE-në

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka folur pritshmëritë e Kosovës, me rastin e konferencës së Evropës që u zhvillua të enjten, më 2 nëntor 2023 në Berlin.

Ajo në një intervistë për DW ka folur për rastin e Banjskës, teksa ka thënë se nga BE-ja presin që Serbia të dënohet për këtë akt.

Gërvalla ka thënë se dëshmitë rreth këtij sulmi janë të qarta dhe hetimet duhet të kishin përfunduar shumë më parë.

“Jemi në pritje të deklarohet për atë çka ka ndodhur në 24 shtator. Ende jemi në pritje dhe ende përgjigja që dëgjojmë është që ende nuk kemi përfunduar hetimet. Mendoj që do të duhet të ishin përfunduar kohë më parë, sepse dëshmitë janë shumë të qarta rreth asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, akti i 24 shtatorit është kryer me metoda terroriste, por ka qenë një akt i hapur që ka tentuar të aneksojë, pra, të pushtojë territor të Kosovës dhe presim një gjuhë shumë të qartë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se përndryshe besimi për të negociuar me Serbinë është dobësuar shumë.

E pyetur se a e ka pranuar Kosova zyrtarisht Asociacionin, Gërvalla ka thënë se dokumenti i ri i paraqitur nga BE-ja, ka një qasje krejt tjetër nga në të kaluarët.

“Nuk e di për cilin asociacion e keni fjalën, ka një asociacion i vitit 2013, është bërë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën Gjykata e vitit 2015 e ka shpallur si shkelje të më shumë se 22 neneve. Ne kemi një propozim të ri, një dokument të ri të Bashkimit Evropian, në vija të trasha ka një qasje krejt tjetër nga në të kaluarët. Por këto janë të gjitha gjërat që ne do t’i bisedojmë gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe e gjitha kjo varet se a do të jetë ky propozim, ai i cili do të sjellë normalizimin përfundimtar me Serbinë apo jo. Nëse çfarë do lloj dokumenti shërben vetëm për Kosovën dhe nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë atëherë ne jemi shumë skeptik se sa i përshtatshëm është ai për t’u diskutuar.

Po të lexoni me kujdes deklaratën e kryeministrit pas takimit në Bruksel, atëherë do ta dini që kryeministri ka bërë një deklaratë të hapur dhe të sinqertë për nënshkrim të tri dokumenteve. Po atë ditë Serbia e ka refuzuar atë ofertë të kryeministrit tonë përmes Bashkimit Evropian, prandaj një gjë e tillë tani është shtyrë për në të ardhmen, dhe se si do të ndodhë në të ardhmen, dhe a do të ndodhë në të ardhmen, mbeten të gjitha pyetje të hapura”, është shprehur Gëvalla në këtë intervistë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *