Si pasojë e një mosmarrëveshjeje të momentit, më datën 6 të këtij muaji në orët e mesnatës në shisha bar ‘Host’ në Podujevë, kishte mbetur i plagosur nga një armë zjarri një 27-vjeçar. I riu ishte dërguar në spital, ndërsa i dyshuari u arratis menjëherë nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se njëri nga të dyshuarit, Kastriot Bahtiri, është dorëzuar dje në Polici.
Bahtiri është intervistuar nga hetuesit policorë e më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, teksa pritet që brenda afatit ligjor të bëhet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Ndërsa i dyshuari tjetër, vëllai i Kastriotit, Petrit Bahtiri, që dyshohet se ka nxjerrë armën që e mbante me vete dhe ka shtënë në drejtim të viktimës, vazhdon të jetë në kërkim policor si i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’.