Djegia e veturave RKS në Veri dhe arrestimi i të dyshuarit, krejt çka dihet deri tani

Dje pas mesnatës janë djegur tri vetura në dy raste të ndara në Leposaviq, ndërsa në orët e para të së enjtes, dy vetura tjera janë djegur në Zubin Potok. Për rastin e dytë, dje është arrestuar një person, Milovan Božović, i cili dyshohet edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj. Mirëpo, në rast se nuk lirohet Božović, Lista Serbe ka paralajmëruar kryengritje.

Tri vetura janë djegur të shtunën në Leposaviq. Njëri rast ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit në afërsi të një çerdhes së fëmijëve. Vetura e djegur me targa RKS ka djegur edhe një veturë tjetër që ka qenë e parkuar me targa të Beogradit. Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar.

Mirëpo, tri vetura janë djegur edhe në Zubin Potok, të enjten e javës së kaluar. Për këtë rast, dje Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin, Milovan Božović. Ai është i dyshuar edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj

“Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit… I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës. Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhej në njoftimin e PK-së.

Lidhur me arrestimin e të dyshuarit ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

” Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkaq, Lista Serbe ka kërkuar lirimin e Božović, duke shtuar se në të kundërtën do të shkaktojë reagimin e të gjithë serbëve.

“Pasi që mblodhëm të dhëna rreth rrëmbimit të sotëm të një serbi nga ana e njësiteve speciale të Kurtit, duam të njoftojmë se populli serb e paralajmëron Prishtinën që në rast të moslirimit të të arrestuarit në mënyrë të pabazë, të cilin sot e rrëmbyen njësitet e Kurtit në veri të Kosovës dhe nëse nuk ndalohet me maltretimin e popullit serb, atëherë do të shkaktojë reagimin e të gjithë serbëve. Të bëjmë të qartë, ky nuk do të jetë ndonjëfarë paralajmërimi porse ngritje e përgjithshme për ndalimin e represionit të Albin Kurtit mbi qytetarët e pafajshëm”, thuhet në reagim të Listës Serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *