Djali pretendon se nëna i vdiq nga mungesa e mjekimit, e mohon Spitali

Familjarët e një të moshuare që ka vdekur dje në Spitalin e Gjilanit pretendojnë asaj nuk i është dhënë ndihmë nga stafi mjekësor.

Rastin e kanë raportuar në Polici. Mirëpo spitali mohon një gjë të tillë, duke thënë se viktimës i është ofruar ndihmë por për shkak të gjendjes së rëndë, ajo ishte rekomanduar të trajtohej në QKUK. Sipas, spitalit familjarët kishin kundërshtuar një gjë të tillë.

Një 92-vjeçare është sjellë për mjekim në Spitalin e Gjilanit të martën rreth orës 14.

Ajo është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore, e më pas ka vdekur pas disa orësh.
Djali i saj i është drejtuar policisë dhe pretendon se nëna i vdiq për shkak se nuk iu dha ndihma nga mjekët.

“Sipas deklaratës nga ankuesi, ai thotë se aty ka pasur të kryhet një operim, dhe sipas pretendimeve të tij ai thotë se janë vonuar mjekët dhe nuk kanë ardhur me kohë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Për rastin, të cilin Policia e ka cilësuar si “Mosdhënie e ndihmës mjekësore”, nga spitali i Gjilanit kanë një version tjetër.

“Në bazë të dhënave të doktorit në fjalë, është kontrolluar pacientja, është lëshuar terapia, i është bërë CT-ja, janë marrë analizat laboratorike, që kanë rezultuar me suficientë ceronale, kronike me vlera pak të nalta… dhe në bazë të CT-së, është përshkruar si perfuracion i tubit digjestiv. Ndërkohe pacienti është pranuar në kirurgji, në mjekim inteziv, ka ekzituar kur është bërë gati për sallë. Mungesë të anestizoligout nuk ka pasur, kemi mungesë të mjekëve anestiziolgë në përgjithësi, në raste të tilla anestiziolgu është përgjigjur, ka ardhur brenda orës”, ka thënë Ruzhdi Kadriu, drejtor Mjekësor në Spitalin e Gjilanit.

Kadriu thotë se familjarët kishin refuzuar që e moshuara të dërgohet në QKUK.

“Duhet me i besuar fjalëve të mjekut, ata kanë dhënë shërbime aq sa kanë pas mundësi dhe sa kanë ditë, në bazë të fjalëve të tij, ai ka dashtë me përgatit pacienten për me udhëzuar në QKUK, për shkak të gjendjes së rëndë dhe vlerave të rënda, ka qenë pacient me rrezikshmëri të lartë, doktori ka dashtë me transferuar, të cilën e kanë refuzuar familjarët”, ka thënë ai.

Me rastin është duke u marrë edhe Prokuroria Themelore e Gjilanit e cila ka urdhëruar që trupi i pa jetë i të moshuarës të dërgohet për autopsi.

Rasti është cilësuar si ‘’Mosdhënie e ndihmës mjekësore’’ edhe nga Prokuroria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *