Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj babait të tij të moshuar.
Sinjali mëson se 75-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, 42-vjeçari e ka përplasur për divani dhe më pas e ka goditur disa herë me grushte në kokë.
Viktima është parë me lëndime të dukshme në trup, mirëpo s’ka pranuar që të marrë tretman mjekësor.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Sinjali