Djali i Hysni Gucatit, Musli Gucati, ka kërkuar që të mos bëhen ndasi sa u përket ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Ne duhet të jemi të bashkuar sepse nuk janë duke u gjykuar si individë, por janë duke u gjykuar si themelues dhe si udhëheqësit dhe formuesit e shtetit të Kosovës, dhe nuk na shërben aspak mirë që të thirremi në baza politike sepse atje nuk janë duke u gjykuar në baza politike, por janë duke u gjykuar për diçka krejt tjetër, për një çështje madhore dhe nuk na takon që të bëjmë ndasi të tilla”, ka thënë Gucati.
“Së pari dua të lidhem me gjykatën. Gjykata çdo herë e proklamon, dhe po e paraqet se po gjykohen si individë. Sa i përket subjektit ose partive politike, nuk do të kishte qenë mirë dhe nuk do të ishte e moralshme nga ana e tyre që të bëjnë ndasi të tilla, dhe që po gjykohen si individë.
Gucati ndihet i pakënaqur sidomos me kryeministrin Albin Kurti dhe justifikimin e tij se pse nuk po i viziton të akuzuarit në Hagë.
Ajo çka nuk më vjen mirë, prapë nuk dua të dal edhe unë që po bëj ndasi politike, por nga ana e kryeministrit asnjëherë nuk i përmend krerët e UÇK-së përjashtim Rexhep Selimit, për neve njëjtë është, si Rexhep Selimi, si Hashim Thaçi, si Hysni Gucati ,të gjithë janë të barabartë dhe të gjithë e kanë pasur një ideal dhe një qëllim që të luftojnë për këtë vend”.
“Me një intervistë që e kam dëgju para disa dite kur ishte diku me një televizion, tha se nuk po shkoj në vizitë atje sepse duhet t’i plotësojë disa formularë, dhe në njëfarë forme i bie që ‘po e njoh Gjykatën Speciale’. Ky po e lë me e nënkuptu që edhe Glauku, edhe zyrtarët tjerë që kanë pozita të madha, që kanë shku atje e paskan njoftë Gjykatën Speciale”, tha ai në Klan Kosova.
“Pra, paska ndasi edhe midis bindjeve të tyre se kush po e njeh e kush nuk po e njeh Gjykatën Speciale.
Mirëpo atje nuk po gjykohet Hashim Thaçi si ish-udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës, as Kadriu, as Rexhep Selimi si pjesëtar i Vetëvendosjes, por po gjykohen si krerë të UÇK-së, edhe si njerëz që kanë luftuar për vendin e Kosovës”.