Dita e Turqve, Konjufca: Ky komunitet shtetin tonë e përjeton si të vetin

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, në organizimin për nder të Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës, ka shprehur vlerësimin e lartë për kontributin e këtij komuniteti, të dhënë për shtetndërtimin e Kosovës.

Konjufca tha se komuniteti turk në Kosovë është shembulli më i mirë se shtetet, jodomosdo identifikohen vetëm me komunitetin shumicë.

”Turqit e Kosovës janë komuniteti që shtetin e Kosovës e përjetojnë si shtetin e tyre, sepse kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës dhe po kontribuojnë çdo ditë në forcimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës”, tha Konjufca.

Më tej, Konjufca tha se është krenar që Kosova është model rajonal dhe evropian i trajtimit të barabartë, konstitucionalisht e politikisht i të gjitha komuniteteve në vend.

”Kryetari i Kuvendit theksoi se qytetarët turq të Republikës së Kosovës janë plotësisht të integruar, jo vetëm në jetën politike e institucionale, por në çdo sferë të jetës shoqërore, ekonomike, kulturore, arsimore, etj”.

“Kjo bashkëjetesë paqësore e vëllazërore e komunitetit turk me komunitetin shqiptar, si dhe me komunitetet tjera, ishte një urë e fuqishme e lidhjes dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”,  tha tutje Konjufca.

Ai tutje tha se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike, si një vend mik i shqiptarëve dhe aleat i rëndësishëm i NATO-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *