Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish pas aktit çnjerëzor ndaj 11-vjeçares, e cila dyshohet se u dhunua seksualisht për orë të tëra nga pesë persona dhe heshtjen e organeve të drejtësisë lidhur me rastin.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se nuk mjaftojnë dy dorëheqje nga zyrtarët e institucioneve të sigurisë.
Kurti ka akuzuar prokurorët e gjyqtarët për trajtim jodinjitoz të rasteve të dhunimit, duke thënë se shkaku i aktakuzave të ngritura jo fuqishëm, shpesh mundësojnë që dhunuesit të mos ndëshkohen.
“Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve? Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç”, shkroi kryeministri.
Sipas tij, është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza
“Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, shkroi tutje kreu i Qeverisë në Facebook.
Postimi i plotë:
Nuk mjaftojnë dy dorëheqje
Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare.
Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.
Policia e Kosovës është duke operacionalizuar Policimin në Bashkësi. Do të fillojnë shumë shpejt në lagjet e kryeqytetit, për t’u shtrirë më pas në komunat tjera të Republikës. Kontaktet e afërta të Policisë me qytetarin shtojnë parandalimin e krimeve si dhe ngrisin cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.
Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?
Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.
Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve.
Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor.
Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin.
Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.
Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve.