Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Xhevë Lladrovci’ në Prizren, ku kryefamiljari dyshohet se ka rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Sinjali mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja bashkë me vajzën 18-vjeçare kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e kanë denoncuar edhe në Polici.
Bazuar në dëshminë e tyre, 60-vjeçari ushtron dhunë psikike dhe fizike në mënyrë të vazhdueshme ndaj tyre.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.